U mbyll konvikti i studentëve “Stiv Naumov”, nuk do të funksionojë derisa të rikonstruohet

Konvikti i studentëve “Stiv Naumov” në Shkup vitin e ardhshëm akademik nuk do të jetë në funksion, njofton Meta.mk. Kompleksi do të mbyllet tërësisht deri në rikonstruimin e tij, transmeton Portalb.mk.

Pasi u shpërngulën të gjithë studentët dhjetë ditë më parë, u mbyll edhe objekti i tretë nga ku edhe do fillojë rikonstruimi. Nuk do të funksionojnë as barakat, pavarësisht se tek ato nuk do të bëhen punime, e as mensa e studentëve.

Kompania austriake “Strabag”, e cila është zgjedhur për t’i kryer punimet ndërtimore, tashmë ndodhet në këtë kompleks studentor dhe pritet të fillojë me punimet.

Drejtori i Konviktit Shtetëror të Studentëve “Shkup” (KSHS Shkup), Viktor Velevski, për Meta.mk konfirmoi se konvikti po mbyllet tërësisht. I pyetur se përse po mbyllen barakat e studentëve që janë në funksion, ai sqaron se për shkak të punimeve ndërtimore do të ndërpritet furnizimi me energji elektrike dhe ujë në këto objekte.

Ky konvikt vitet e fundit ka qenë një pasqyrë e standardeve të këqija në të cilat jetojnë studentët, me lagështi, me gypa që pikonin në tualete, përmbytje të herëpashershme dhe infektim me minj dhe insekte.

Meta.mk kohëve të fundit shkroi edhe për barin e paprerë në këtë kompleks, i cili është terren pjellor për shfaqjen e brejtësve dhe zvarranikëve.

Në objektin e tretë dhe në barakat e Konviktit të studentëve “Stiv Naumov” vitin e kaluar shkollor ishin akomoduar rreth pesëqind studentë. Tani Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) duhet të gjejë një zgjidhje se ku do t’i zëvendësojë këto kapacitete.

Si një zgjidhje e mundshme, jozyrtarisht paralajmërohet hapja e një objekti tjetër në konviktin e studentëve “Tome Stefanovski – Seniq” në lagjen Zhelezara, ndërsa disa studentë mund të akomodohen në kapacitetet e paplotësuara në konviktet e studentëve në Shkup.

“Stiv Naumov” dhe “Kuzman Josifovski – Pitu” do të mbeten të mbyllur edhe për të paktën 18 muaj, që do të thotë se hapja më e hershme e mundshme mund të bëhet në fillim të vitit shkollor 2026/2027.

Rikonstruimi i shumëpritur i “Stiv Naumov”, si dhe i konvikteve të tjera shtetërore të studentëve parasheh ndërrimin e të gjitha instalimeve elektrike dhe hidraulike, fasada energjetike, sisteme të ngrohjes, dyerve, dritareve, lyerje dhe mobilim.