U dënua një grup pedofilësh për eksploatim seksual të një vajze 14 vjeçare nga Tetova, duke e shantazhuar atë me motrën e saj 10 vjeçare dhe vëllain 7 vjeçar

Një Gjykatës nga Departamenti i krimit të organizuar në Gjykatën Themelore Penale Shkup, në një gjykim të mbyllur e dënoi grupin kriminal prej 10 anëtarësh për vepra penale “Trafikim me fëmijë”, të cilët nga viti 2020 deri në maj të vitit 2023, kur policia i zbuloi pedofilët, shisnin dhe shfrytëzonin seksualisht një fëmijë nga një familje vulnerabël, domethënë familje e shkatërruar, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.

Në përgjigje për SAKAMDAKAZAM.MK, Gjykata Penale i kumtoi dënimet duke theksuar se dënimi më i lartë, ai prej 10 vitesh burg, nga Gjykata e Apelit u shkurtua në 4,5 vite.

“Gjithashtu ju njoftojmë se në kuadër të së njëjtës lëndë e akuzuara K.H. e cila e pranoi fajin u dënua fillimisht me 10 vite burg, për veprën penale nga neni 418 – d paragrafi 1 n.l. me nenin 45 të Kodit Penal, por pas fitimit të ankesës dhe veprimit kompetent të Gjykatës së Apelit, dënimi i saj është ndryshuar në 4 vite e 6 muaj.

Të akuzuarën G. Sh. për veprën penale të trafikimit të fëmijëve sipas nenit 418 paragrafi 2 n.l. me paragrafin 1 n.l. me nenin 45 të Kodit Penal, gjykata e dënoi me 7 vite e 6 muaj burg.

Të akuzuarin S. S. për veprën penale të trafikimit të fëmijëve sipas nenit 418-g paragrafi 1 në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal dhe veprën penale të trafikimit të një fëmije sipas nenit 418-g paragrafi 3 të Kodit Penal, gjykata e dënoi me një dënim të vetëm prej 8 vite e 6 muaj.

Të akuzuarën A. P. për veprën penale të trafikimit të fëmijëve sipas nenit 418 paragrafi 1 në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal, gjykata e dënoi me dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 vitesh, të akuzuarin R. A. për të njëjtën vepër penale e dënoi me 4 vite, I. Z. për të njëjtin vepër që ka kryer ka marrë gjithashtu 4 vite burg.

Pastaj, për trafikim të fëmijëve I.E. u dënua me 4 vite e 6 muaj burg, A.M. për të njëjtën vepër 4 vite, i akuzuari K. K. 5 vite burg dhe të akuzuarin A.Sh. gjykata e dënoi me 4 vite burg për veprën e trafikimit të fëmijëve.

Në verën e vitit 2020 e dyshuara e parë pranoi në shtëpinë e saj fëmijën viktimë katërmbëdhjetë vjeçare, ndërsa më vonë ajo e pranoi edhe motrën e saj dhjetëvjeçare dhe vëllain shtatëvjeçar që të kujdesej për ta për shkak të marrëdhënieve të prishura në familjen e tyre.

Menjëherë pas kësaj, duke përfituar nga gjendja e pafuqisë dhe vulnerabilitetit të fëmijës-viktimë, duke e kërcënuar dhe duke aplikuar forma të tjera shtrëngimi, ajo ka filluar ta shtyjë fëmijën të kryejë akte seksuale me disa nga të dyshuarit dhe persona të tjerë NN për kundrejt pagesës me shuma të caktuara monetare. Kërcënimet ndaj fëmijës viktimë shpesh ishin të lidhura me vëllain dhe motrën e saj, se nëse ajo nuk pranonte aktivitetet seksuale të dakorduara, do t’i linte fëmijët në një jetimore ose do t’ia kthente nënës së tyre.

Më pas edhe tre nga të dyshuarit, pas një marrëveshjeje paraprake me të dyshuarën e parë, dhe me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm për vete, për dy vite çdo ditë e detyronin fëmijën në kryerjen e akteve seksuale me anë të eksploatimit seksual me të dyshuarit e tjerë dhe persona të tjerë të panjohur, duke përfshirë edhe një grua.

Përdoruesit e dyshuar të shërbimeve seksuale, edhe pse e dinin se fëmija ishte viktimë e trafikimit të fëmijëve, u paguanin tutorëve një kompensim monetar në lartësi nga 50 deri në 200 euro.

Në këtë vendim të formës jo të prerë dominojnë dënimet 4-4,5 vjet burg ndërsa për një vepër kaq të rëndë që u ngarkohet të akuzuarve dhe që shkel drejtpërdrejt Protokollin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës, që i referohet trafikimit të fëmijëve, prostitucionit dhe pornografisë së fëmijëve (MD-44/03-95), është paraparë dënim me burg me kohëzgjatje prej së paku 8 vitesh, ndërsa për veprën penale të kryer nga e dyshuara e parë është së paku 10 vite.