U arrestuan gjashtë persona, Policia e RMV-së e shkatërroi grupin kriminal
Një grup kriminal nga Maqedonia e Veriut, i përfshirë edhe në kontrabandimin me migrantët, është shkatërruar sot nga Policia e Maqedonisë së Veriut. Ata arrestuan gjashtë persona në aksionin e tyre, transmeton Portalb.mk.
“U shkatërrua grupi gjashtëanëtarësh i organizuar kriminal, i cili për një periudhë të gjatë kohore ishte i përfshirë në kryerjen e veprave penale në fushën e kontrabandës së migrantëve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë realizimit, u parandalua edhe transporti i gjashtë migrantëve nga Kina, nga të cilët një i mitur”, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.
Ata kryenin transportin e jashtëligjshme të migrantëve nga Serbia për në Greqi, në periudhën prej prillit e deri në korrik të këtij viti.
“A.I. (46) dhe B.I. (26) i pranuan migrantët dhe i transportuan me automjete në lokacione në afërsi të Kumanovës, prej nga B.Z. (28) i pranoi dhe i transportoi në afërsi të Gjevgjelisë pranë kufirit me Greqinë, ku, nga ana tjetër, i pranoi V.T. (38) dhe i drejtoi në këmbë në drejtim të vijës kufitare me Greqinë”, sqaroi Policia, duke shtuar se në këtë grup janë të përfshirë edhe V.T. (38) dhe R.R (19).
Policia ka kryer edhe bastisje në pesë lokacione në Shkup dhe Kumanovë. Policia në Prokurori ka ngritur kallëzim penal ndaj gjashtë personave nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “kontrabandë emigrantësh” dhe “Bashkëkryerje”, vepra të dënueshme në bazë të nenit 418-b dhe 22 në Kodin Penal.