U arrestua kryetari i Budvës, Milo Bozhoviç në Mal të Zi
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit (PSSh), janë arrestuar disa persona sot në disa qytete të Malit të Zi, në operacione kundër krimit të organizuar. Në mesin e të arrestuarve është edhe kryetari i Komunës së Budvës, Milo Bozhoviç, raporton Anadolu.
Bozhoviç dyshohet për krijimin e organizatës kriminale dhe prodhimin, posedimin dhe shpërndarjen e paautorizuar të narkotikëve.
Prokurori i shtetit dhe zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Shtetit (PSSh), Vukas Radonjiç, ka thënë se Bozhoviç është arrestuar nga Departamenti i Policisë Speciale, me urdhër të prokurorit të shtetit dërguar në PSSh.
“Ekzistojnë baza të dyshimit se ka kryer veprën penale të krijimit të organizatës kriminale dhe tri veprat penale të prodhimit, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve”, ka thënë Radonjiq.
Ai tha se policia më parë ka bastisur banesat dhe objektet e tjera të përdorura nga Bozhoviç.
“Personi i privuar nga liria do të sillet në Prokurorinë e Shtetit për t’u marrë në pyetje si i dyshuar, brenda afatit ligjor”, tha Radonjiç.