U anulua tenderi për prokurimin e 120 autobusëve elektrikë në RMV, e vetmja kompani që aplikoi nuk i plotësonte kushtet

Ministria e Transportit ka anuluar tenderin për përzgjedhjen e një ofertuesi për prokurimin e 120 autobusëve elektrikë ekologjikë për transportin publik dhe stacionet e karikimit, pasi Komisioni kompetent përcaktoi se e vetmja kompani që aplikoi nuk i plotësonte kushtet e thirrjes së publikuar, transmeton Portalb.mk.

“Në thirrjen publike që u publikua më 17 qershor me afat për dorëzimin e ofertave deri më 24 korrik 2025, vetëm një kompani paraqiti ofertë. Pas vlerësimit, Komisioni përgjegjës për zbatimin e prokurimit publik përcaktoi se kompania nuk i plotëson kriteret në përputhje me thirrjen publike të publikuar. Ministria e Transportit do të kryejë analiza shtesë në lidhje me prokurimin e autobusëve elektrikë ekologjikë në periudhën e ardhshme dhe do ta informojë publikun”, informon Ministria e Transportit.

Nga 120 autobusët ekologjikë që duhej të bliheshin me thirrjen, 80 duhej të ishin të destinuara për Qytetin e Shkupit, ndërsa 40 të tjerët për komunat në përputhje me arsyetimin ekonomik dhe nevojat e tyre reale.

Kujtojmë se viteve të fundit transporti publik në kryeqytet ka qenë në kolaps dhe është përballur me probleme të mëdha.