Trendafilov tha se Mickoski nuk u paraqit në LSM për rritjen e pagës minimale, Qeveria: Të enjten kemi takim me SPOGJSH
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov, informoi se kryeministri Hristijan Mickoski nuk u paraqit në ambientet e Sindikatës këtë mëngjes për të nënshkruar marrëveshjen për rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe rritjen e pagave të tjera me të paktën 100 euro, transmeton Portalb.mk.
“Sot ranë maskat, u zbuluan gënjeshtrat që përfaqësuesi i qeverisë kishte thënë ditët e fundit për të krijuar dyshime tek punëtorët, sot ai nuk erdhi siç e ftuam ne, sot ata kishin prioritete të tjera dhe u konfirmua se rritja e pagave të punëtorëve, as rritja e pagës minimale, as rritja e pagave të tjera nuk është prioritet i tyre”, tha Trendafilov.
Nga ana tjetër, kreu i LSM vlerësoi se është mirë që kryeministri pranoi kërkesën e Sindikatës së Punëtorëve nga Administrata, Organet Gjyqësore dhe Shoqatat e Qytetarëve (SPOGJSH) për rritjen e pagave në administratë dhe gjyqësor pas pothuajse një viti protestash nga punëtorët e këtij sektori, pavarësisht faktit se, siç thotë Trendafilov, qeveria paraprakisht refuzoi ta bënte këtë.
“Sot ata duhej të rrisnin pagat e punonjësve në administratë me 40 përqind, por ata nuk u paraqitën në nënshkrimin e marrëveshjes dhe marrëveshjeve kolektive. Ata po ikin nga përgjegjësia, ashtu siç kanë ikur gjatë gjithë vitit 2025”, shtoi Trendafilov.
Qeveria dhe sindikata janë një hap më afër një marrëveshjeje për një rritje të pagave prej 40% për një pjesë të administratës publike. LSM reagon gjithashtu ndaj njoftimeve për heqjen e dispozitave nga Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive në seksionin mbi llogaritjen e pagave, duke paralajmëruar se kjo do të nënkuptonte një ulje reale të pagave të punëtorëve me 21.8 përqind për rreth 130,000 punonjës në sektorin publik. Përveç kësaj, siç thonë ata, kërkesa e individëve për heqjen e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive do të thotë që punonjësit do të mbeten pa shpërblime jubilare, pa K-15, pa shtesa në paga që u rritën nga Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive për sektorin publik.
Qeveria nga ana tjetër ka reaguar duke thënë se “Nuk e dimë kë priste Trendafilov në sallën e zbrazët, takimi midis kryeministrit Mickoski dhe përfaqësuesve të SPOGJSH është caktuar për të enjten”.
“Në lidhje me daljet dhe deklaratat publike të Trendafilovit sot, si Qeveri reagojmë ashpër ndaj përpjekjeve për krijimin e një imazhi të rremë për dialogun social. Nuk e dimë kë priste Trendafilov duke qëndruar në sallën e zbrazët, por një gjë është e qartë si kristali, dialogu social për ne është një politikë serioze dhe me përgjegjësi shtetërore, dhe jo një mjet për teatër politik dhe paraqitje para kamerave. Opinioni duhet ta dijë se takimi i kryeministrit Mickoski me përfaqësuesit e sindikatës SPOGJSH është caktuar dhe do të mbahet në ambientet e Qeverisë të enjten në orën 16:45. Kjo është një dëshmi konkrete që Qeveria nuk ikën nga dialogu, por kërkon që ai të jetë serioz, përmbajtësor dhe i orientuar drejt rezultateve. Dialogu social zhvillohet aty ku e ka vendin , brenda institucioneve, me një plan të qartë dhe me qëllim real për gjetjen e zgjidhjeve. Të gjitha përpjekjet për ta kthyer atë në narrativa të rreme dhe paraqitje arbitrare janë të papërgjegjshme dhe dëmtojnë interesat e punonjësve, të cilët supozohet se po mbrohen”, thonë nga Qeveria.
Kujtojmë se, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) paralajmëroi bllokada dhe protesta nga 2 shkurti për shkak të pakënaqësisë nga të ardhurat e ulëta minimale të punëtorëve. Përfaqësuesit e LSM-së janë të prerë se do të vazhdojnë me protesta derisa të arrihet paga minimale prej 600 eurosh dhe rritje e të gjitha pagave për 100 euro.
- LEXO: Mickoski: Oferta për sindikatën është në tavolinë, por duhet të negociohet pjesa për pagat në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive
- LEXO: LSM përgatit grevë të përgjithshme, LSDM do dorëzojë ligj për ngrirjen e pagave të funksionerëve
- LEXO: Prej taksave tona jetojnë funksionarët në luks, ndërsa rrogat tona nuk na mjaftojnë deri me të dhjetin, protestuan sindikatat