Tre djem 16-vjeçarë u bllokuan në lumin Treska, u nxorën jashtë pas katër orësh

Mbrëmë tre djem 16-vjeçarë kanë mbetur të bllokuar në një ishull të vogël me rërë dhe zhavorr në mes të lumit Treska afër Sarajit të Shkupit për gati katër orë, njoftoi Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.

Denoncimi, siç shtohet nga QMK-ja, është marrë në orën 19:12, pas së cilës menjëherë është informuar Stacioni Policor Saraj dhe janë kërkuar që të shkojnë në vendin ku janë kapur tre djemtë dhe nëse ka pasur mundësi të ndihmojnë në nxjerrjen e tyre të sigurt.

Djemtë u bllokuan në ishull pas rritjes së prurjeve ujore të lumit Treska për shkak të shkarkimit të ujit nga hidrocentralet “Matka” dhe “Kozjak”, që është një proces i rregullt për prodhimin e vazhdueshëm të energjisë elektrike.

“Për shkak të rritjes së nivelit të papritur të lumit Treska, tre djemtë u bllokuan në një pjesë specifike më të lartë rërë-zhavorri në mes të lumit, në një lloj ishulli dhe nuk patën mundësi të kalonin në breg të sigurt, sepse ishin të rrethuar nga të dyja anët me ujë të fortë dhe të shpejtë”, thuhet në informacionin e QMK-së.

Për shkak të sasisë së madhe të ujit në rritje, shtoi QMK, përpjekja për të shpëtuar djemtë me një varkë rezultoi e pasuksesshme. Qendra e Menaxhimit të Krizave u kërkoi dispeçerëve në hidrocentralet “Kozjak” dhe “Matka” që të reduktojnë menjëherë rrjedhën e ujit për të mundësuar nxjerrjen dhe shpëtimin e djemve.

Pas ndalimit të rrjedhjes së ujit nga dy digat, rreth orës 23, ekipet speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe banorët e fshatit Gërçec kanë arritur t’i transferojnë të sigurtë djemtë në anën tjetër të lumit, në drejtim të fshatit Gërçec.

Pas shpëtimit të djemve, QMK-ja njoftoi dispeçerët në hidrocentralet “Kozjak” dhe “Matka” se lëshimi i ujit për prodhimin e energjisë elektrike mund të vazhdojë pa ndërprerje.