Transportuesit privat vazhdojnë punën me orar të reduktuar, NTP dhe Qyteti i Shkupit s’kanë ndërmend të gjejnë zgjidhje

Vazhdon puna e reduktuar e transportuesve privatë. Ata do të vazhdojnë të lëvizin çdo ditë deri në orën 10:00 derisa Ndërmarrja për transport publik “Shkup” (NTP) të bëjë transferimin e parave për karburant. Ata pohojnë se NTP-ja u ka borxh gjithsej 110 milionë denarë tri kompanive. Ata paralajmëruan se nga java e ardhshme do të reduktojnë gradualisht kohën e punës, ndërsa ekziston rreziku të mos vozitin fare nëse nuk marrin para në llogaritë e tyre, transmeton Portalb.mk.

NTP mohon se kanë borxh ndaj transportuesve privatë dhe thotë se nëse transportuesit privatë kryejnë kërcënime të tilla do të përballen me padi sepse si transport publik kanë obligim ndaj Qytetit të Shkupit, në përputhje me kontratën e nënshkruar.

“Duhet të theksojmë se nuk ka borxh prej 140 milionë denarë në NTP ndaj transportuesve privatë”, njofton NTP.

Nga NTP thonë se ndërkohë kanë ngritur padi përkatëse për shkak të shpifjes, krijimit të vazhdueshëm të panikut dhe ngacmimeve të qytetarëve nga transportues individualë të trajnuar politikisht.

“Për të tretin vit radhazi po punohet për përafrimin e kompanive private me standardet dhe para çdo skadimi të kontratës, në përpjekje për të shmangur përmbushjen e standardeve eko, lindin të njëjtat presione për të vazhduar operimin me autobusët e vjetër”, akuzon NTP.

Edhe Qyteti i Shkupit mohon se kanë borxhe për t’i paguar kompanive private.

Që nga ardhja e kryetares së Shkupit, Danela Arsovska, transporti publik në qytet është në gjendje të palakmueshme. Është duke emëruar vazhdimisht drejtorë të rinj dhe konflikti me kompanitë private vazhdon prej vitesh.

Transportuesit privatë pushuan së qeni pjesë e transportit publik të qytetit në nëntor të vitit 2022 për shkak të borxheve që kërkuan t’i paguante Qyteti i Shkupit. Në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, më shumë se 300 autobusë të parkuar në udhëkryqet kryesore bllokuan kryeqytetin.

Kryetarja Danella Arsovska mohoi se qyteti ka borxh ndaj kompanive private, ndërsa vitin e kaluar tha se është e sigurt se Qyteti i Shkupit mund të funksionojë pa autobusë privatë.

Pasi Arsovska i ndërpreu kontratat me dy shoqatat “Sloboda vravoz” dhe “Makekspres” nën ombrellën e së cilës lëviznin transportuesit privatë, u shpallën njoftime të reja për transport publik me autobus në të cilin mund të aplikojnë transportuesit privatë.

Në fund të majit të vitit të kaluar, NTP “Shkup” njoftoi se transportuesit privatë po kthehen në rrugë.