Toshkovski: Nuk është përcaktuar përgjegjësi penale për Gashin lidhur me incidentin e Osmanit në Aeroportin e Shkupit

Nuk është përcaktuar përgjegjësi penale sipas provave të siguruara për kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi në lidhje me incidentin në Aeroport. Kështu ka deklaruar dje në Kanal 5 ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, për incidentin në Aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ku shefi i sigurimit të kryeparlamentarit Gashi mori kallëzim penal dhe largim nga vendi i punës, transmeton Portalb.mk.

Sipas ministrit, përgjegjësinë e vetme penale në këtë rast, sipas dëshmive, e ka punonjësi i policisë, pjesëtari i sigurisë së kryeparlamentarit Gashi, sjelljen e të cilit e ka vlerësuar si të palejueshme.

“Përgjegjësia në lidhje me ngjarjen penale juridike në fjalë është e punonjësit të policisë, i cili ka bërë atë që ka bërë në kundërshtim me ligjin. Nuk është vetëm procedura penale, por përgjegjësi disiplinore është përcaktuar edhe për dy punonjës të tjerë policie, të cilët pavarësisht se nuk kanë ndërmarrë asnjë masë, siç ka ndërmarrë personi në fjalë, në aspekt të kërcënimeve, përsëritje etj. , nuk vepruan si duhet sipas akteve nënligjore, pra pranuan atë që po ndodhte në të vërtetë. Por kjo nuk është lëndë për procedim penal, por për procedim disiplinor”, tha Toshkovski.

Sipas rregullave dhe procedurave të brendshme të MPB-së, sipas Toshkovskit, zyrtari policor nuk kishte të drejtë të largohej nga objekti i VIP-ave të cilin e ruante dhe nuk ishte vendim apo autoritet i tij që të qetësohej apo të ndezej apo të bënte ndonjë gjë që nuk kishte lidhje me përshkrimin e detyrave të tij të punës.

“Oficeri i cili nga pozita e sigurimit të Kryetarit të Kuvendit ka shkuar në sallën e VIP-ave me qëllim që sipas provave të qetësojë situatën fillimisht. Se si ka reaguar është tjetër çështje. Veprimi që ai ndërmori është absolutisht i palejueshëm. Edhe nëse ka shkuar për të qetësuar situatën ka vendosur të veprojë kundër ligjit”, tha Toshkovski.

Sipas tij, në lidhje me ngjarjen janë marrë në pyetje mbi 15 deri në 20 persona që ishin dëshmitarë në vend, si dhe janë shqyrtuar materialet video.

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal dhe largim nga vendi i punës për nëpunësin policor i cili shkaktoi incident në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Policia gjithashtu kaka parashtruar kallëzim penal ndaj S. S., shef i Departamentit për sigurinë personale të Kryetarit të Kuvendit për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të “rrezikimit të sigurisë dhe veprës penale “pengim të zyrtarit në kryerjen e detyrave zyrtare. Kurse ndaj nëpunësve policorë S.R. dhe N.B. ka parashturar propozim për fillimin e procedurës për shkelje të urdhërit të punës dhe disiplinës për shkak të ekzekutimit të urdhërit të kundërligjshëm, kryerjes së pakujdesshme të detyrave të punës dhe dëmtimin e reputacionit të policisë.

Në lidhje me këtë rast, LSDM-ja ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit të Kuvendit të RMV-së Afrim Gashti. Ndërsa Kryetari i së Majtës, Dimitar Apasiev njoftoi se grupi parlamentar i kësaj partie ka dorëzuar interpelancë për punën e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

Incidenti që ndodhi më 1 gusht në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku ishte e përfshirë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte temë edhe e takimit që ndodhi më 5 gusht në Shkup ndërmjet dy kryeministrave, Albin Kurtit dhe Hristijan Mickoskit. Kurti tha se përjetimi i Osmanit ishte i rëndë, ndërsa Mickoski, premtoi se derisa ai është kryeministër nuk do të jetë njerëz që do të jenë mbi ligjin dhe nëse konstatohet se kanë tejkaluar kompetencat, personi do të vihet para drejtësisë.

Presidenca e Kosovës tha se është “për keqardhje” mënyra se si u trajtua incidenti i 1 gushtit, gjatë konferencës për të kryeministrit të Kosovës dhe atij të Maqedonisë së Veriut.

Për këtë rast , Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Republikën e Kosovës përmes një note proteste ka reaguar ndaj incidentit.

Ministria për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme në Maqedoninë e Veriut ka reaguar pas notës së protestës së dërguar nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, rreth incidentit me presidenten Vjosa Osmani. Ata shprehin keqardhje për incidentin, duke vlerësuar se me Kosovën kanë raporte positive.

Në mungesë të pamjeve publike, raportohet që presidentja Vjosa Osmani është sulmuar edhe fizikisht nga Policia e Maqedonisë së Veriut, për shkak se ajo ka refuzuar që telefoni i saj zyrtar të futet në skaner për kontroll, duke u thirrur në protokollet e përcaktuara në Konventën e Vjenës.

Incidenti ku u përfshi Osmani ka shkaktuar reagime të shumta të përfaqësuesve të opozitës dhe partive shqiptare që janë në koalicionin qeverisës në Maqedoninë e Veriut, që kanë fajësuar njëra-tjetrën.