Tërmet në botë!

Nëse jonormaliteti na bëhet i përditshëm, shumë shpejt shkatërrimi do na bëhet i pashmangshëm – ka thënë një i mençur me famë!

Përkundrejt paqartësisë për atë se kush do të fitojë, demokratët amerikanë pësuan një humbje të trefishtë (për presidentin, për senatin, për dhomën e përfaqësuesve). Andaj paniku në BE është plotësisht i arsyeshëm. Gjatë mandatit të parë të presidentit Tramp, Evropa ishte ende në formë. Kancelaria Merkel dhe presidenti francez Makron ishin një bazë e fortë politike e BE-së. Por sot Franca ka problemet e veta të mëdha kurse qeveria gjermane tashmë është në kolaps. Pra, BE-ja nuk ka më mbrojtje. Kjo vë në pikëpyetje aftësinë e BE-së për të gjetur një përgjigje adekuate ndaj uraganit të quajtur Tramp, i cili është i vendosur për masat proteksioniste kundër eksportit ndaj vendeve anëtare të BE-së.

Për më tepër, problemet rreth financimit të NATO-s kërcënojnë sigurinë tashmë të brishtë të Evropës. Prandaj, ekziston një frikë e justifikuar se Ukraina në “24 orë” do mund të bjerë në prehër të Rusinë. Nga ana tjetër, me ndihmën e populistëve të shumtë si kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe nesër Marine Le Pen, uniteti i BE-së mund të cenohet seriozisht edhe nga brenda. Është e rrezikshme kur zemra e një lideri është në gojën e tij! Ata nuk kuptojnë se ëndrrat nuk vriten, por realizohen.

Politika e Tramp do të prekë në mënyrë të pashmangshme të gjitha fushat e BE-së, nga çmimet e ilaçeve, teknologjitë e gjelbra, deri te standardet e inteligjencës artificiale. Ai për vite ushtron luftë kryqëzatash kundër tranzicionit të gjelbër, që mund të jetë shumë e pakëndshme për audiencën evropiane dhe më gjerë. Kampi i zotit Tramp po shtyn të shfuqizojë Ligjin për Reduktimin e Inflacionit, i cili siguron më shumë se 500 miliardë dollarë për projekte si teknologjia e pastër, hidrogjeni dhe energjia e rinovueshme. Ekspertët janë të mendimit se fitorja e Tramp do sjellë në një katastrofë shtesë mjedisore. Përkatësisht, për të parandaluar nivelet e ngrohjes globale, bota duhet të reduktojë në mënyrë dramatike emetimet. Planet më i ngrohtë do të thotë fatkeqësi tejet shkatërrimtare. Tramp planifikon të tërheqë përsëri Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për të dyfishuar shfrytëzimin e karburanteve fosile! Kjo do të thotë më pak shpresë për energjinë e erës, energjinë diellore, karburantet alternative dhe automjetet elektrike.

“The Guardian” shkruan se kthimi i Tramp në Shtëpinë e Bardhë është sikur “një elefant të ketë hyrë në dhomën e gjumit të FMN-së, i cili ka të ngjarë të ulë PBB-në globale me 0.5 përqindje në vitin 2026”. Lidhur me rritjen e tarifave doganore, të cilat Tramp i mbron fuqishëm, CNN shkroi se “do të jetë e dëmshme në shkallë globale”. Jo vetëm që tarifat doganore do të dëmtojnë rritjen ekonomike globale, por do rrisin edhe inflacionin në mbarë botën, pasi rritja e tarifave do jetë reciproke. Ekonomisti Goldman Sachs thotë se për shkak të një plani të tillë tarifor, euro mund të bjerë deri në 10 për qind kundrejt dollarit dhe se fitimet midis një grupi kompanish më të mëdha evropiane mund të bien me më shumë se pesë për qind vitin e ardhshëm.

Ndërsa peshorja filloi të anonte në favor të Tramp gjatë numërimit të votave, po në atë masë anuan edhe tregjet financiare amerikane. Vlera e dollarit u hodh kundrejt euros, indekset e aksioneve amerikane u rritën, po ashtu edhe bitkoini. Aq më tepër edhe për mbështetësin e tij Elon Mask, i cili arriti një rekord të ri. Instituti ekonomik i Mynihut “Ifo” llogariti se tarifat e reja do të shkaktonin dëm ekonomik prej 33 miliardë eurosh vetëm për Gjermaninë dhe eksportet gjermane në Shtetet e Bashkuara mund të ulen deri në 15 për qind.

Programi ekonomik i Tramp parashikon, para së gjithash, ulje taksash, derregullime të shumta, një politikë fiskale jashtëzakonisht stimuluese dhe një politikë ekonomike proteksioniste me futjen e tarifave të reja 10 deri në 20 për qind për të gjitha mallrat që vijnë në ShBA, madje 60 për qind për mallrat kineze.

Tramp është një biznesmen dhe ai rezonon me logjikën e fitimit në kompaninë e tij “Trump Trade”. Dhe në mandatin e parë të Tramp, stoqet amerikane – veçanërisht në sektorët e teknologjisë dhe financiarë – janë rritur ndjeshëm falë rritjes së thesarit dhe dollarit të fortë.

BE po dridhet!

Përveç goditjes tarifore, Tramp është gati të çmontojë edhe sistemin e përbashkët të sigurisë nëse Evropës nuk i paguhet 2% e PBB-së, të cilën nuk e përmbushin as Gjermania dhe as Franca. Në një tubim të fushatës në Karolinën e Jugut, Tramp paralajmëroi aleatët e NATO-s se ai do të “inkurajojë” Rusinë të “bëjë çfarë të dojë ndaj vendeve që nuk i kanë paguar faturat”. Pa NATO do të jetë shumë e vështirë edhe për BE-në. Do të jetë interesante të shihet se si do të reagojë Evropa ndaj vendimit të Tramp për luftën në Ukrainë dhe nëse përgjigja do të jetë unike! Evropa tani është shumë e ndarë dhe Tramp e ka përkeqësuar më tej këtë ndarje. “Evropa duhet të qëndrojë në këmbët e veta shumë më tepër”, thuhet në raportin e ish-kryeministrit italian Mario Draghi. Shpresa e vogël mbetet Elon Mask, i cili e ndihmoi shumë Tramp-in me platformën e tij “X”, e i cili ka nevojë për tregun evropian.

Në përgjithësi, BE tradicionalisht ka një suficit të lartë tregtar me SHBA-në, por një deficit në shërbime. Me suficitin në bilancin e pagesave, subjektet e BE-së investojnë në SHBA, kryesisht në formën e investimeve të portofolit – duke blerë bono qeveritare. Por nëse SHBA-ja vepron në mënyrë shumë kufizuese ndaj BE-së, nuk përjashtohet që BE të fokusohet në tregjet kineze dhe indiane. Bashkëpunimi me Kinën tashmë është intensifikuar vitet e fundit, edhe pse BE-ja ka rritur tarifat për automjetet elektrike kineze. Sipas do ligjeve, kur një derë mbyllet një tjetër hapet. Nga ana tjetër, në të ardhmen, SHBA planifikon të fokusohet akoma më shumë ekonomikisht dhe politikisht në Azinë Juglindore, rajonin Indo-Paqësor, botën arabe dhe në pjesë të Afrikës ku kinezët tashmë po punojnë intensivisht.

Po Ballkani Perëndimor?!

Nuk ka gjasa që Ballkani të kapet nga ndonjë radar serioz i Tramp. Tramp e cilësoi qartë politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor si “pasive”! Andaj, Ballkani do vazhdon të jetë gjithnjë e më afër Lindjes së Afërme. Pothuajse i gjithë Ballkani, lexon më kot të ardhmen e vet me kristalomanti, duke mashtruar veten se sa lidhje të mirë kishin me Tramp. Dodik madje festoi fitoren e Tramp. Udhëheqësit e mençur janë plot hezitime, por ata të tjerët me plot besime! Por së shpejti të gjithë do të zhgënjehen për shkak të mospërfilljes.

Një analist i shquar amerikan i quajti këto shpresa “një abort të qëllimshëm”. Tramp do të jetë shumë i zënë me luftërat e Izraelit, me luftën Ruso-Ukrainë, me Iranin dhe Tajvanin. Me këtë pjesë të Evropës ndoshta do të merren administratorë të shkallës së tretë të Uashingtonit, të cilët do mendojnë për nevojat e këtij rajoni pas një dreke të keqe. Duhet të dimë se tablo-kryqëzimet politike shpesh nuk kanë fare shenja komunikacioni. Nëse Brukselit nuk i ndodh diçka si një fitim lotarie, Ballkani ka të ngjarë të margjinalizohet deri në asht. Serbët do humbin afrimin ndaj NATO-s, sepse Tramp nuk e luan shumë atë instrument. Së bashku me Shqipërinë, ata mund të shpresojnë vetëm për një karamele të vogël nëse dhëndri i Tramp, Jared Kushner, investon në Beograd (te selia e ish-mbrojtjes) dhe në ishullin e vogël të Sazanit në Shqipëri. Ndërsa Kurti do të duhet të lutet i vetmuar gjithë kohës që të mos bjerë shi, të cilën lutje do duhet ta dëgjoj Richard Grenell, që mos të rezultojë një abort vërtet i madh!