“Të verbrit” e Qendrim Rijanit do të shfaqet në Festivalin e Teatrit ‘MITEM’ në Hungari
Më 30 prill, në Festivalin e Teatrit MITEM në Hungari-Budapest, do të shfaqet “Të verbrit” me regji të Qendrim Rijanit. Ky festival është një nga festivalet më të rëndësishëm të teatrit në botë, shkruan Portalb.mk.
Regjisori Rijani do të jetë në mesin e regjisorëve më të mëdhenj botërorë si: Rimas Tuminas, Silviu Purcărete, Theodoros Terzopoulos, Jan Fabre (i cili shkroi mesazhin për Ditën Botërore të Teatrit 2025), Avtandil Varimashvili, Attila Vidnyánszky, Guy Cassiers, etj.
“Të verbrit”, prodhim i Teatrit Nacional Turk, do të shfaqet krah shfaqjeve të teatrove prestigjioze si Comédie-Française (Francë), Tokyo Metropolitan Theater (Japoni), Teatri Kombëtar i Athinës (Greqi), Teatri Kombëtar i Bullgarisë, Xian Yisu Theatre (Kinë), Kompania Jan Fabre (Belgjikë), Gesher Theatre Company (Izrael), Teatri Kombëtar i Meksikës, Teatri Metropolitan i Stambollit (Turqi), etj.

Në veprën “Të verbrit” bëhet fjalë për një botë të izoluar, njëmbëdhjetë persona të verbër përpiqen të gjejnë rrugën për në shtëpi. Hap pas hapi, ata përjetojnë botën përmes kujtimeve dhe shqisave të tyre-dhe ne, shikuesit, ftohemi të bëjmë të njëjtën gjë.
Kjo shfaqje është thellësisht njerëzore dhe ngacmuese për mendjen, duke hedhur dritë mbi bukurinë e diversitetit dhe përkohshmërinë e jetës.