Të rinjtë kundër gjuhës së urrejtjes: Punëtori edukative në Kavadar dhe Manastir
Si pjesë e projektit “Fjalët lënë plagë”, në Kavadar dhe Manastir u organizuan punëtori edukative të dedikuara identifikimit dhe reduktimit të gjuhës së urrejtjes, si dhe kuptimit të rolit që luajnë algoritmet e rrjeteve sociale në përhapjen e saj, transmeton Portalb.mk.
Në aktivitetet morën pjesë nxënës të shkollave të mesme, studentë dhe të rinj, mes tyre edhe shumë sportistë që çdo ditë përballen me përmbajtje toksike në mediat sociale. Pjesëmarrësit diskutuan se si algoritmet i amplifikojnë përmbajtjet negative dhe ato që përhapin urrejtje, si edhe mënyrën se si ato ndikojnë në perceptimin, sjelljen dhe gjendjen emocionale të të rinjve.
Brenda grupeve të fokusuara, të rinjtë ndanë shembuj nga shkollat, garat sportive dhe platformat digjitale, ku shpesh hasin komente fyese, narrativa diskriminuese dhe postime manipuluese.
Përmes ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit analizuan tekste dhe komente të ndryshme, duke identifikuar se çfarë saktësisht nxit urrejtje te lexuesit. Ata mësuan të njohin fjalët “shkaktare”, modelet toksike të të shkruarit dhe strategjitë që i përdorin mediat ose individët për të krijuar zemërim, përçarje dhe reagime negative.
Të rinjtë u vunë edhe në rolin e gazetarëve dhe kritikëve të medias, duke ripunuar tekste problematike dhe duke mësuar si të krijojnë përmbajtje transparente dhe etikisht të qëndrueshme, që nuk margjinalizojnë individë apo grupe. Qëllimi ishte të tregohej se çdo përmbajtje mund të riformulohet në një mesazh konstruktiv që nxit dialog, e jo dhunë.
Punëtoritë janë pjesë e një iniciative më të gjerë për rritjen e ndërgjegjësimit mbi rreziqet e gjuhës së urrejtjes dhe për ndërtimin e një rinie me kompetenca të forta në edukimin medial, e aftë të lexojë dhe analizojë kritikisht përmbajtjet digjitale. Projekti është një nën-grant brenda programit Reporting Diversity Network.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut përballet ende me sfida të theksuara në luftën kundër gjuhës së urrejtjes. Raporti më i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut evidentoi se, megjithëse janë ndërmarrë hapa pozitivë drejt përputhjes me standardet evropiane, zbatimi mbetet i pjesshëm dhe kapacitetet institucionale kërkojnë forcim të mëtejshëm.
- LEXO: U publikua Raporti i progresit për RMV-në: Asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit, miratimi i Kodit të ri Penal në krye të kërkesave
- LEXO: RMV, urrejtja që nuk nuk shihet e ndëshkohet: nga qindra raste, policia ka vepruar vetëm për 4 në gjysmën e parë të vitit (Infografik)
- LEXO: Heshtja institucionale e ushqen urrejtjen në Maqedoni, nevojiten sanksione të rrepta për thirrjet nacionaliste dhe raciste
- LEXO: Policia “merr masa” që s’çojnë askund, brohoritjet raciste në Kumanovë dhe Kavadar pa asnjë dënim