Aferdita Kiki e fitoi “Çmimin e Nëntorit” 2025 në Gostivar për veprën më të mirë artistike

Shoqata e Artistëve Figurativë “Draudacum” mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Gostivar e hapi ekspozitën tradicionale mbarëkombëtare “Çmimi i Nëntorit”. Kjo ekspozitë u organizua me rastin e Ditës së Flamurit shqiptar, duke sjellë në një hapësirë të përbashkët artistë të afirmuar dhe të rinj nga vendi dhe jashtë tij, me synimin për të promovuar vlerat e artit pamor dhe për të nxitur dialog kulturor e krijues, shkruan Portalb.mk.

Arjan Rufati kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativë Draudacum” në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se ‘Çmimi i Nëntorit’ nuk është vetëm një ekspozitë por është momenti kur arti shqiptar flet me një zë, kur krijimtaria jonë bëhet flamur dhe dëshmon se kultura jonë ka dritë, ka fuqi dhe një të ardhme të pashuar.

Ekspozita “Çmimi i Nëntorit” është aktiviteti ynë më i çmuar dhe më përfaqësues i Shoqatës. Nuk është vetëm një prezantim veprash, por një traditë që ndër vite ka bashkuar artistët nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Kjo ekspozitë mbledh në një hapësirë të vetme shumë zëra, shumë vizione, shumë qasje dhe shumë emocione artistike duke krijuar një mozaik të gjallë krijimtarie. Edicionin e sivjetëm e karakterizojnë pjesëmarrja e numrit të madh të artistëve nga Kosova, Shqipëria dhe gjithë vendet e Maqedonisë së Veriut të cilët i dorëzuan veprat e tyre në afatin kohor të konkursit. Komisioni artistik ka pasur një detyrë të vështirë për shkak të cilësisë së lartë të punimeve një dëshmi e qartë e progresit të artit figurativ shqiptar. Le të shpreh mirënjohjen time të veçantë për Qendrën për Kulturë- Gostivar dhe për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për mbështetjen e tyre të sinqertë e të pandërprerë në realizimin e kësaj ekspozite. Kjo ekspozitë hapet çdo vit në nder të 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit. Prandaj, “Çmimi i Nëntorit” nuk është vetëm një ekspozitë është një festë, një rit i përvitshëm i bashkimit tonë kulturor dhe një shprehje e qartë se arti shqiptar ka dritë, ka fuqi dhe ka të ardhme”, theksoi Rufati.

Foto nga arkivi personal i Aferdita Kikit. Foto: Aferdita Kiki
Foto nga arkivi personal i Aferdita Kikit. Foto: Aferdita Kiki

Çmimin e Nëntorit e fitoi artistja Aferdita Kiki, e cila për Portalb.mk tha se ndjehet tepër e lumtur me këtë çmim.

“Pasi që jam artiste e lirë Ministria e Kulturës e përcjell aktivitetin tim gjatë tërë vitit dhe ky çmim ishte i rëndësishëm për mua. Falenderoj jurinë dhe gjithë ata që më përkrahën, është një ndjenjë e mirë. Me veprën që mora pjesë është nga cikli “Parqet Japoneze” me këtë do të marr pjesë edhe në ekspozitën e ardhshme personale muajin e ardhshëm në Galerinë Mala Stanica në Shkup”, tha Kiki.

Komisioni artistik në përbërje nga profesorët e artit figurativ: Xhelil Rufati, Reshat Ameti dhe profesorë të tjerë universitar ndanë edhe çmime të tjera lëmin e artit, edhe atë:

  • Çmimin “Artiste e re” e fitoi Enkela Xhaferi
  • Çmimin për “Vizatim” e fitoi Ruzmira Beqiraj Bejaj
  • Çmimin për “Pikturë” e fitoi Burim Ukici
  • Çmimin për “Fotografi” e fitoi Albes Fusha

Në kuadër të ekspozitës, vizitorët patën mundësi të shohin një gamë të gjerë veprash nga piktura dhe grafika, deri te skulptura dhe instalacionet bashkëkohore të cilat pasqyrojnë shumëllojshmërinë e shprehjes artistike dhe energjinë krijuese të autorëve pjesëmarrës.