Të hënën aktvendimi për Ramiz Merkon, ai kërkoi të lirohet Egzona

Kryetari i Strugës, Ramiz Merko sot në Gjykatën Themelore në Strugë i tha fjalët përfundimtare në rastin me emërimin e drejtorit të jashtëligjshëm në shkollën fillore “Zini Hani”, lëndë në të cilën zhvillohej procedurë edhe kundër Egzona Shej, e cila në dy mandate të njëpasnjëshme e kryente funksionin u.d. drejtoreshë në atë shkollë, ndërsa sipas akuzës, akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit, raporton MIA.

Ai vlerëson se Egzona nuk duhet të akuzohet, sepse, sipas tij, ajo si absolvente ka bërë sakrificë që të ndihmojë në procesin e arsimit dhe fëmijët të mos mbeten pa profesor të gjuhën frënge.

“Ndjej për detyrë, nëse është e nevojshme do të mbaj të gjithë përgjegjësinë, por Egzona duhet të lirohet”, tha Merko në fjalën e tij përfundimtare, duke theksuar se ana materiale nuk ishte në interes të të akuzuarës së parë Shej, por përkundrazi ajo sakrifikoi veten në rininë e saj për të dhënë mësim në një shkollë fillore ku nuk kishte zgjidhje tjetër.

Merko theksoi se në 12 shkolla fillore dhe 25 rajonale nuk ka pasur mundësi të vendos drejtorë tjerë, ndërsa shkollat pa drejtor nuk do të mund të jepnin rroga për punëtorët.

Prokurori publik Xhemal Lloga kërkoi të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe kërkoi dënim efektiv me burg për Merkon për emërimin e jashtëligjshëm të drejtorëve në shkollën në Veleshtë dhe “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë.

Paraprakisht në qershor Gjykata Themelore e Strugës i vendosi gjobë prej 10,000 eurosh Merkos, me akuzën për kryerje të pakujdesshme në shërbim, konkretisht, për parregullsi të kryera në emërimin e drejtorëve në detyrë të shkollave fillore në fshatrat Labunishtë, Radolishtë dhe Podgorcë. Ndërkohë Prokuroria Publike tashmë ka ankimuar vendimet e mëparshme të gjyqtarit Jordan Jovanov.

Merko mori lirim nga akuzat në fillim të qershorit në rastin që po zhvillohej kundër tij për shpërdorim të detyrës zyrtare në blerjen e një makine Audi me vlerë 67,000 euro.

Ndryshe, kryetari në largim i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, në muajin shtator është përfshirë edhe një rast tjetër gjyqësor, ku dyshohet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit rreth ndriçimit të shtratit të lumit Drin.