Taravari: Raporti për vdekjen e foshnjës 14 muajshe është gati, nëse konstatohet gabim mjekësor, le të veprojnë organet gjyqësore

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari ka njoftuar se pasdite do të dalë me raport për rastin e vdekjes së foshnjës 14 muajshe në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, raporton Portalb.mk.

“Raportet janë pothuajse gati. Prisja një raport nga pediatrit profesionistë dhe kompetentë për të dhënë një konkluzion të prerë për rastin e foshnjës së ndjerë. Shpresoj që sot ose më së voni të hënën si Ministri e Shëndetësisë të kemi konferencë për shtyp”, tha Taravari.

Ai shtoi se do të dalin me raport, nëse ka gabim mjekësor, duhet të veprojnë organet gjyqësore dhe hetimore.

Më 5 nëntor 2024, një vajzë 14 muajshe ka ndërruar jetë Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Qendrën klinike “Nënë Tereza” në Shkup.

Raporti i Inspektoratit Shëndetësor dhe Sanitar ka konfirmuar se para se të përkeqësohej gjendja shëndetësore dhe të ndërronte jetë, foshnja 14 muajshe është dërguar disa herë për trajtim te mjeku amë dhe te klinika për Sëmundje të Fëmijëve, por vazhdimisht është lëshuar për mjekim shtëpiak.