“Talir 1” u shty përsëri, të pandehurit përsëri kërkuan përjashtimin e Ristoskës
Gjykimi në rastin Talir 1 për financim të paligjshëm të VMRO-DPMNE-së është shtyrë përsëri. Përveç partisë, të akuzuar janë edhe ish-kryeministri Nikola Gruevski, ish-sekretari i VMRO-DPMNE-së Kiril Bozinovski, si dhe ish-zyrtarët e partisë Mile Janakieski, Ilija Dimovski dhe Leko Ristovski, raporton Telma, përcjell Portalb.mk.
Avokatët mbrojtës kërkuan përjashtimin e prokurores Lençe Ristoska, sepse besojnë se konfliktet e saj me partinë ndikojnë në paanshmërinë e saj.
Javën e kaluar, Ristoska ngriti një padi për shpifje kundër VMRO-DPMNE-së dhe denoncoi kryeministrin Hristijan Mickoski në Këshillin e Prokurorëve Publikë, duke pretenduar se deklaratat e tij po ushtrojnë presion dhe po shkelin pavarësinë e saj në punën e saj.
Ajo beson se po vepron në mënyrë objektive, por ka informuar Prokurorinë Publike të Republikës për këto çështje dhe i ka kërkuar prokurorisë të marrë një qëndrim, por deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje.
Ish-kryeministri në arrati Nikolla Gruevski ka shpëtuar edhe nga një ndjekje penale, kjo për shkak se pjesa e lëndës ‘Talir’ ku ai ndiqej për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së është vjetërsuar, megjithatë akuza për larje parash mbetet ende.
Në “Talir 1” për larje parash mbeten të njëjtit të akuzuar: Nikolla Gruevski, Kire Bozhinovski, Ilija Dimovski, Leko Ristovski dhe Mile Janakieski.
Ky gjyq ka filluar që në shkurt të vitit 2019 dhe ende ndodhet në shkallën e parë.
- LEXO: Gruevski shpëtoi edhe nga një ndjekje penale, u vjetërsua një pjesë e lëndës ‘Talir’
- LEXO: Ristoska do ta ndjekë VMRO-DPMNE-në për larje parash në ‘Talir 1’ deri në 2035, ngriti edhe padi civile
Rasti “Talir”, ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë politike VMRO-DPMNE. Akuza për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE e ngarkon ish liderin e saj, Nikolla Gruevskin për abuzim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për pastrim parash dhe përfitime tjera në bazë të veprave penale. Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski, akuzohen gjithashtu për të njëjtat dy krime, të dënueshme me burgim. Thuajse 4.9 milionë euro janë larë.
Me kalimin e viteve dhe pas ndryshimeve në Kodin Penal, u vjetërsuan lëndët TNT, për prishjen e kompleksit “Kosmos” dhe “Trajektorja”, për komisionet për ndërtimin e autostradave. Ndryshimet e shpëtuan edhe Gruevskin nga akuza për rastin “Shkupi 2014”, “Feniks”.
Ish-kryeministri mbetet i akuzuar për çështjet “Talir 1” dhe “Talir 2”, mbi të cilat varet edhe paqartësia se si do të përfundojnë, si dhe në rastin “Titanik”, ku akuzohet për shpërdorim fondesh për financimin e fushatës zgjedhore dhe cenimin e të drejtës së votës.
Për shkak se ai ishte i padisponueshëm, atij iu pezullua edhe hetimi për ndërhyrjen e dhunshme në Kuvend të datës 27 prill 2017.
Të gjitha lajmet lidhur me këto raste i gjeni KËTU.