Takimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së: në theks zgjerimi dhe sundimi i së drejtës

Analizë për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Pikërisht sepse ishte joformal, nga takimi i fundit i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së nuk kishte asnjë dokument përfundimtar. Këtë shkrim e bazojmë në konferencat për shtyp para dhe pas Samitit, por edhe në materialin për përgatitjen e tij, prodhuar nga Organizata joqeveritare IDEA (Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Sisteme Zgjedhore).

Një pjesë e këtij takimi iu kushtua 20 vjetorit të zgjerimit të madh grupor të Unionit në vitin 2004. Nga ana tjetër roli i këtij takimi të ministrave për punë të jashtme/evropiane është që ta mbajë të hapur debatin për zgjerimin e mëtejshëm, por edhe ta thellojë atë duke i indentifikuar çështjet kyçe. Nuk është sekret se ka dallime midis shteteve anëtare. Diskutimi aktual shkon në drejtimin se si të kapërcehen këto dallime, edhe pse disa prej tyre duken të pakapërcyeshme për momentin.

Tashmë dihet sintagma se të dyja palët duhet të jenë gati për zgjerim, por pyetja është se si, ndërkohë që Unioni të qëndrojë fort pas vlerave të tij. Kështu, analiza dhe debati nuk fokusohet vetëm në rolin e sundimit të së drejtës në politikën e zgjerimit, por edhe në brendësi, në kuadër të Unionit. Vazhdimi është njoftuar për në qershor kur krerët e BE-së do të miratojnë një udhërrëfyes për reformat.

Në raportin e IDEA-s pranohet se konvergjenca e shteteve kandidate me mesataren e BE-së në fushën e sundimit të ligjit është e ngadaltë dhe se nuk ka pasur progres të rëndësishëm në dekadën e fundit, ndërsa diku ka edhe kthim pas. Megjithatë, objektivisht vlerësohet se dallimet nuk janë të mëdha ose në disa fusha nuk ekzistojnë fare te disa nga shtetet anëtare. Në të njëjtën kohë ka një dallim të madh midis vendeve lindore dhe anëtarëve të tjerë të BE-së.

Edhe pse analiza thekson se mangësitë sistematike në sundimin e të drejtës te kandidatët janë më shpesh të motivuara politikisht sesa të shkaktuara nga arsye teknike, ajo nuk përmend kredibilitetin e humbur të BE-së si një nga arsyet e mungesës së motivimit dhe progresit te shtetet kandidate. Krahas rekomandimit për mesazhe të qarta politike nga BE-ja, propozohet edhe rivendosja e rolit (të humbur) të raporteve vjetore të BE-së, koordinimi më i mirë i nismave nga BE-ja, rritja e pjesëmarrjes së organizatave joqeveritare, përfshirja graduale e kandidatëve në sistemin e brendshëm të sundimit të së drejtës së BE-së, por edhe rishqyrtimi i strukturës institucionale të BE-së për zgjerim (kthimi i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim). Rekomandimi që ka marrë më shumë vëmendje politike është forcimi i kushtëzimit në lidhje me sundimin e së drejtës për fondet e BE-së, prezantimit dhe zbatimit të të cilave BE-ja i ka kushtuar vëmendje të konsiderueshme vitet e fundit.

Përsa i përket masave që BE-ja duhet të marrë në brendi, IDEA ndër të tjera rekomandon forcimin e instrumenteve ligjore për sundimin e së drejtës, veçanërisht lidhur me tregun e unik të përbashkët, si dhe përshtatjen dhe harmonizimin e metodologjive të monitorimit – brenda dhe jashtë, transparencë më të madhe në zbatimin e kushtëzimit, si dhe buxhet më të madh të dedikuar për sundimin e së drejtës.

Sipas IDEA-s, instrumentet e sundimit të së drejtës për kandidatët dhe shtetet anëtare duhet të barazohen, për çka sipas tyre do të ishte i nevojshëm ndryshimi i traktateve të BE-së, prezantimi i dispozitave për sundimin e së drejtës në marrëveshjet e anëtarësimit, por edhe zgjerimi dhe qartësimi i kompetencave të BE-së në fushën e sundimit të ligjit. Sipas kryetares së Këshillit, ministres belge të Punëve të Jashtme, Haxha Labib, reforma e marrëveshjeve të BE-së mund të vijë në konsiderim vetëm në afat të gjatë.

Megjithatë, në fund të fundit më i rëndësishmi është substrati politik i nxjerrë nga ky takim joformal.

Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, përgjegjëse për vlerat dhe transparencën, Vera Jurova, prezantoi çështjet kyçe që janë sfidë për zgjerimin dhe për të cilat ka pikëpamje të ndryshme nga vendet anëtare:

1) Çështja e vetos nga një shtet anëtar individual;

2) (Mos)funksionaliteti i nenit 7 të Traktatit të BE-së (pezullimi i të drejtave të një shteti anëtar që shkel të drejtat e BE-së);

3) Buxheti.

Për këto çështje pritet të thyhen shtizat në periudhën e ardhshme.