Tabela në Bllacë pa gjuhën shqipe bëri bujë në opinion, VLEN do të hetojë, BDI dhe ASh me akuza

Partneri i koalicionit qeveritar VLEN njoftoi se do të hetojë se përse mbrëmë është vendosur një tabelë në pikën kufitare me Kosovën, Bllacë, vetëm në maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht shkruan “Mirëserdhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, por jo edhe në shqip. Pllaka u hoq menjëherë pasi u vendos dhe tani në vendkalimin kufitar qëndron vetëm pllaka ku shkruhet “Republika e Maqedonisë së Veriut” në maqedonisht, shqip dhe anglisht, transmeton Portalb.mk.

“Së pari, bëhet fjalë për një tabelë e cila është porositur nga ish-drejtuesit e Agjencisë së Rrugëve Shtetërore. Së dyti, ajo është tashmë e larguar dhe kompania Granit është ngarkuar menjëherë për të prodhuar një të re në përputhje me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, e cila do të vendoset në të njëjtin vend. Së treti, me iniciativë të zëvendësdrejtorit të Agjencisë së Rrugëve Shtetërore, Nazim Taipi, do të kryhet një hetim i brendshëm për rastin konkret që duhet të përcaktojë nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo një provokim të qëllimshëm me prapavijë politike për të nxitur tensione ndëretnike, të ngjashme me disa të tjera që kemi arritur t’i parandalojmë me sukses. Apelojmë opinionin që me vëmendje të ndjekë disa informacione mediatike në periudhën e ardhshme, sepse, siç do të dalin në dritë skandalet korruptive të ish-funksionarëve qeveritarë, presim të ketë gjithnjë e më shumë përpjekje për të futur përçarje”, thonë nga VLEN.

Për rastin ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila e akuzon VLEN-in si të paaftë dhe shërbëtore të VMRO-së, që po shkatërron të arriturat kombëtare.

“Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron që paaftësia e humbësve të zgjedhjeve dhe shërbëtorë të VMRO nga radhët e Vlen po i kthen shqiptarët në vitet ‘90 në aspektin e të drejtave kombëtare dhe barazisë. Akuzat ndaj BDI dhe gjuetia politike e shtrigave nga vazalët e Vlen nuk e mbulojnë dot dështimin katastrofal në mbrojtje të të arriturave kombëtare. Cënimi i gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, legjitimitetit zgjedhor, balanserit, turpërimi para Shqipërisë, Kosovës dhe në mes të Uashingtonit, ligji për branitella, janë rezultat i hyrjes në qeveri si humbës dhe si të preferuar të VMRO-së”, thonë nga BDI.

Ata i quajnë të pabaza, të pavërteta dhe spekulative, akuzat e VLEN-it se tabelat në autostradën Shkup – Bllacë janë porositur nga udhëheqësia e mëparshme e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore.

“Gjithashtu, ju informojmë se nga ana e udhëheqësisë së kaluar është përgatit edhe projekt për ndërrimin e të gjitha shenjave të komunikacionit për autostrada për respektimin e gjuhës shqipe dhe është bërë zgjedhje e kompanisë për ndëerimin e të gjitha shenjave por udhëheqësia aktuale ka ndërprerë procedurën që mund të shihet edhe në sistemin elektronik të prokurimeve publike”, thonë nga BDI.

Për situatën e krijuar ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët nga ku thonë se edhe pse në krye të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, ka dhe zëvendësdrejtor shqiptar, Nazim Taipi dhe Doganat e Maqedonisë, ku zëvendësdrejtor është Garip Kaba, të dy nga VLEN dhe grupi i Taravarit, kanë hequr krejtësisht gjuhën shqipe nga tabelat.

“Ato tani janë vetëm në gjuhën maqedonase, angleze dhe frenge. Paramendoni tani kush duhet ta mbrojë gjuhën shqipe nga Gjykata Kushtetuese dhe nga kjo Qeveri antishqiptare. Ende pa u sjellë vendim, institucionet që fatkeqësisht thuhet se kanë edhe zëvendës shqiptarë, tanimë kanë filluar të abrogojnë në praktikë ligjin e gjuhëve dhe të fshijnë gjuhën shqipe”, thonë nga ASH.

Tabelat që u vendosën mbrëmjen e së premtes në kufirin me Kosovën, në Bllacë, në të cilat nuk figuronte gjuha shqipe, sot nuk janë më aty. Të njëjtat gjatë natës janë larguar.

Tabela në pikën kufitare me Kosovën, Bllacë. Foto printscreen nga video e Gazetës Lajm
Tabela në pikën kufitare me Kosovën, Bllacë. Foto printscreen nga video e Gazetës Lajm