Sulmuesi i Danella Arsovskës nën akuzë për sulm të rëndë, iu zgjat paraburgimi me 30 ditë

Sulmuesi i kryetares së Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, S.L., mori padi nga Prokuroria për kryerjen e dhunës së rëndë ndaj saj një javë më parë. Së bashku me akuzën, është paraqitur edhe propozimi i Prokurorit Publik për zgjatjen e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, transmeton Portalb.mk.

Këshilli Penal i Gjykatës Penale të Shkupit, duke vepruar mbi propozimin e paraqitur për zgjatjen e masës së paraburgimit, nxori vendim ku thuhej se propozimi është i bazuar sepse ende ekziston rreziku që ai të arratiset dhe ta përsërisë krimin. Paraburgimi i tij është zgjatur për 30 ditë.

Gjykata do të informojë në mënyrë shtesë se kur do të mbahet seanca e parë e gjykimit.

“Sa i përket akuzës, një propozim penal me numër K.br. 1338/25, e cila pasi të caktohet për procedura të mëtejshme nga një gjyqtar, dhe seanca kryesore e caktuar, do të jetë e disponueshme përmes kalendarit të gjykimeve në faqen e internetit të gjykatës”, informoi Gjykata Penale e Shkupit.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, u sulmua fizikisht më 11 korrik rreth mesditës në Çair të Shkupit, pranë “rrugës së plastikave”. Ndaj sulmit të saj ka reaguar edhe Komiteti i Helsinkit dhe Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.

Arsovska së fundmi ka qenë në “gjueti të ndërtimeve pa leje” në Komunën e Çairit, duke i dokumentuar ato dhe duke i publikuar në profilin e saj në Facebook përmes video-mesazheve. Ajo madje ka kërkuar ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar.