Sulmi i Iranit ndaj Izraelit shton frikën për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme

Sulmi i Iranit ndaj Izraelit me 180 raketa balistike ka shtuar frikën për përshkallëzim në Lindjen e Mesme, ndërsa të dyja vendet lëshuan paralajmërime ndaj njëri-tjetrit. Izraeli është zotuar se do të kundërpërgjigjet, ndërsa Teherani tha se Izraeli duhet të ndalë dhunën në rajon. Ndërkohë ushtria izraelite vazhdoi sulmet në Liban, duke rritur presionin ndaj Hezbollahut, transmeton Zëri Amerikës.

Irani tha se sulmi me raketa ishte në shenjë hakmarrjeje ndaj fushatës izraelite kundër Hezbollahut në Liban, organizatë aleate e Teheranit.

Ushtria izraelite tha se shumica e raketave u interceptuan dhe shkatërruan në ajër, megjithëse disa ranë në Izraelin qendror dhe jugor dhe dy persona u plagosën lehtë.

Ishte i fundit në një sërë sulmesh të përshkallëzuara në një konflikt shumëvjeçar midis Izraelit dhe Iranit dhe aleatëve të tij arabë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se sulmi i Iranit dështoi.

“Ai u frenua falë sistemit të mbrojtjes ajrore të Izraelit, i cili është më i avancuari në botë. ….. Falenderoj gjithashtu Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në përpjekjet tona të mbrojtjes”, tha kryeministri izraelit.

Ai u betua se Irani do të paguajë një çmim për sulmin.

“Irani bëri një gabim të madh sot dhe do të paguajë për këtë. Regjimi i Iranit nuk arrin ta kuptojë vendosmërinë tonë për të mbrojtur veten dhe për t’u hakmarrë kundër armiqve tanë.”
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian tha të mërkurën se vendi i tij do të përgjigjet edhe më me forcë, nëse Izraeli vazhdon fushatën në Liban.

“Kupola e Hekurt që ata kanë ndërtuar nuk është prej hekuri, është më e brishtë se qelqi. Bota duhet të ndëshkojë një regjim të tillë aparteidi, gjenocidal”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara, që kishin njoftuar Izraelin për sulmin e pritshëm, gjithashtu e dënuan goditjen e Iranit.

Presidenti Joe Biden tha se administrata e tij është “plotësisht në mbështetje” të Izraelit.

David Aaron Miller, analist i Fondacionit Carnegie për Paqen i tha Zërit të Amerikës të mërkurën se Izraeli do të kundërpërgjigjet dhe se izraelitët janë të vendosur të vazhdojnë përpjekjet për të dobësuar Iranin dhe aleatët e tij në rajon, por…

“Lindja e Mesme është një rajon shumë i paqendrueshëm dhe nuk duhet të kemi pritshmëri të mëdha që këto arritje ushtarake (të Izraelit) të përkthehen në suksese politike”

Të mërkurën, banorët e Jeruzalemit që kishin dalë për të blerë ushqimet e fundit përpara Vitit të Ri hebre thanë se kishin frikë gjatë sulmit me raketa iraniane të martën në mbrëmje, por i besonin ushtrisë izraelite.
“Kisha frike për fëmijet, nipat e mbesat. Po i telefonoja çdo moment, ishte e frikshme. Por falë zotit, mbetëm të sigurt dhe po luteshim për të gjithë popullin e Izraelit”, thotë Sasson Mordehai.

“Për sa kohë që ndoqëm udhëzimet e komandës së ushtrisë që dhe të hynim në dhomën e sigurt, e dija se do ta kalonim”, thotë Gila Levitan.

Por në Gazë, Irak, Jordani dhe Jemen banorët i përshëndetën sulmet, duke nxjerrë edhe një herë në pah tensionet e thella rajonale.

Izraeli nuk ka dhënë shenja se do të ndalë veprimet e tij në Liban. Ushtria tha të mërkurën se njësitë e rregullta të këmbësorisë të saj dhe ato të blinduara po i bashkoheshin operacioneve të saj tokësore në vend. Izraeli po e forcon praninë në Libanin jugor, ndërkohë që vazhdon të godasë Hamasin në Gazë.

Këshilli i Sigurimit po diskuton për zhvillimet e fundit. Izraeli i ndaloi Sekratarit të Përgjithshëm Antonio Guterres hyrjen në vend, pasi siç tha Ministri i Jashtëm i vendit, ai nuk dënoi sulmin e Iranit.

Ndërkohë Italia ka thirrur një mbledhje urgjente të G7-ës, lidhur me krizën në Lindjen e Mesme.