Suedia e gatshme tu përgjigjet kërcënimeve ruse për anëtarësimin në NATO

Suedia është e gatshme t’i përgjigjet kërcënimit të kundërmasave të shpallura nga ambasada ruse në Stokholm pas njoftimit për hyrjen e afërt të Suedisë në aleancë. Këtë e ka deklaruar kryeministri suedez, Ulf Kristersson, transmeton Portalb.mk nga Euractiv.

Moska nuk bëri asnjë koment zyrtar pasi parlamenti hungarez votoi në favor të ofertës së Suedisë në NATO të hënën.

Por të martën në mbrëmje, ambasada ruse në Stokholm në Telegram theksoi se Rusia do të marrë kundërmasa të natyrës politike dhe ushtarako-teknike për të minimizuar kërcënimet ndaj sigurisë së saj kombëtare.

“Hyrja (e Suedisë) në një aleancë ushtarake armiqësore ndaj Rusisë do të ketë pasoja negative për stabilitetin në Evropën Veriore dhe rreth Detit Baltik, i cili mbetet zona jonë e përbashkët”, thuhet në deklaratë.

Për kryeministrin suedez, ky reagim ishte “mjaft i pritshëm”.

“Ky ishte gjithashtu rasti kur Finlanda u bashkua me NATO-n,” tha ai të mërkurën.

Kur Finlanda iu bashkua aleancës transatlantike prillin e kaluar, Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu u tha udhëheqësve ushtarakë të Rusisë se pranimi i Finlandës “krijon rrezikun e një zgjerimi të konsiderueshëm të konfliktit”, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov foli për një “shkelje të sigurisë (ruse) dhe interesave kombëtare”.

Pasi parlamenti hungarez votoi përfundimisht në favor të aplikimit të Suedisë në NATO, mbetet vetëm që presidenti i vendit të nënshkruajë protokollin, por është e paqartë se kur do të ndodhë kjo.

Pas dorëheqjes së ish-presidentes hungareze Katarina Novak mes një skandali në të cilin ajo u akuzua për fshehje të një pedofili, kryetari i parlamentit, László Kövér, aktualisht po vepron si president i përkohshëm.

Sipas kushtetutës së Hungarisë, ai mund të nënshkruajë protokollin e NATO-s, por sipas informacioneve të marra nga Euractiv, me shumë gjasa do të jetë presidenti i sapo zgjedhur, Tamás Sulyok, i cili do të marrë detyrën të martën e ardhshme.