Studimi: Ndotja nga grimcat në Ballkan është më e larta në Evropë

Ndotja e ajrit në vendet e Ballkanit ka marrë vëmendjen e studjuesve dhe mediave ndërkombëtare. Sipas një studimi të cilit i referohet The Guardian, ndotja nga grimcat është më e larta në Evropë, transmeton Portalb.mk.

Kur mendojmë për qytetet më të ndotura në botë, zakonisht na vijnë ndër mend Delhi apo Pekini, por të dhëna të reja kanë zbuluar probleme serioze të ndotjes shumë pranë zemrës së Evropës.

Profesori Andre Prevot nga Instituti Paul Scherrer (PSI) në Zvicër shpjegon: “Në dimër, ndotja nga grimcat në Ballkan është më e larta në Evropë. Nivelet e ndotjes nga grimcat janë shpesh më të larta se në Pekin dhe në disa ditë janë ndër më të lartat në botë. Dioksidi i squfurit në dimër mund të jetë mbi 30 herë më i lartë se ajo që shohim zakonisht në Evropën Perëndimore.”

Vlerësohet se rreth 3.300 persona vdesin para kohe çdo vit nga ndotja me grimca në Bosnje dhe Hercegovinë.

Është e vështirë të kuptohet ndotja e ajrit në një qytet duke bërë matje vetëm në një vend.

Për këtë arsye, ekipi i PSI-së pajisi një furgon të përshtatur me sensorë modernë për ndotjen e ajrit, me tuba mostër në çati, dhe përshkoi Sarajevën gjatë dimrit. Çdo qark zgjaste rreth 90 minuta dhe ekipi realizonte deri në gjashtë qarqe në ditë.

Majkëll Bauer nga PSI tha: “Një nga pjesët më të vështira të studimit ishte kalimi i kaq shumë kohe në trafik, duke vozitur në rrugë të ngushta lart e poshtë kodrave. Disa mbrëmje ishin dukshëm të mbuluara nga smogu në perëndim. Kishte aroma të forta të djegies së drurit dhe qymyrit në zonat e banuara, si dhe erëra gatimi, sidomos të qebapëve në qendrën e qytetit.”

Ekipi analizoi një pjesë të përzierjes së ndotjes nga grimcat, por edhe kjo e tejkalonte udhëzimin ditor të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në 66% të kohës, dhe shpesh ishte më shumë se tetë herë mbi kufirin e lejuar.

Zonat më të ndotura ishin lagjet e banuara, ku ndotja e ajrit dominohej nga ngrohja shtëpiake, përfshirë djegien e drurit, qymyrit dhe mbeturinave, së bashku me nivele të larta të hidrokarbureve aromatike policiklike, të cilat shkaktojnë kancer.

Një studim i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në vitin 2023 rekomandoi izolimin e shtëpive, ngrohjen qendrore dhe pompat e nxehtësisë, si dhe inspektimin e sobave dhe informimin e publikut. Ai identifikoi nëntë zona prioritare të qytetit për ndërhyrje.

Bauer shtoi: “Rezultatet tona i konfirmojnë zonat prioritare. Planet ekzistuese për të reduktuar ngrohjen me lëndë djegëse të ngurta në këto zona me 90% deri në vitin 2033 janë urgjentisht të nevojshme. Edhe pas kësaj, burime të tjera të ndotjes do të mbeten të rëndësishme dhe nuk duhet të injorohen.”

Flota e vjetër e automjeteve e përkeqëson problemin e qytetit. Automjeti mesatar në Sarajevë është 19 vjeç, ndërsa 10% e automjeteve janë më të vjetra se standardet moderne evropiane të emetimeve. Në Mbretërinë e Bashkuar, makina mesatare në vitin 2024 ishte 10 vjeç, ndërsa furgonët ose kamionët mesatarisht nga tetë deri në nëntë vjeç.

Gatimi në restorante dominonte ndotjen nga grimcat në qendrën e Sarajevës. Bauer tha: “Gatimi kontribuon në një masë jo të vogël në ndotjen e ajrit në qendrën e qytetit, kryesisht sepse ngrohja shtëpiake nuk është aq e rëndësishme këtu.”

Prevot shtoi: “Era e mishit të pjekur në qendrën e qytetit ishte e jashtëzakonshme. Në disa ditë dukej sikur ishe në Indinë veriore… thuajse mund ta shijoje me gojë.”

Sarajeva dhe Shkupi shpesh radhiten si qytetet me ajrin më të ndotur në Evropë.