Studentët në RMV pranuan modelin e ri për vaktin e subvencionuar studentor, kërkuan që kushtet të përfshihen në ligj

“Rezistenca Studentore” e pranon modelin e ri për vaktin e subvencionuar studentor, të propozuar nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit, sipas të cilit shuma mujore do të rritet nga 3.500 në 4.500 denarë. Megjithatë, organizata vendos dy kushte – zgjidhjet e dakorduara të përfshihen në Ligjin për vaktin e subvencionuar studentor dhe lista e kompanive dhe marketeve të publikohet paraprakisht, para hyrjes në fuqi të ligjit, transmeton Portalb.mk.

Në komunikatë thuhet se vendimin e kanë marrë pas konsultimeve të gjera me studentët në kuadër të strukturave të tyre organizative, pas takimit në të cilin kryeministri dhe ministrja e Arsimit kanë ofruar një paketë zgjidhjesh për këtë masë.

Modeli i propozuar parasheh vendosjen e një sistemi të ri për vaktin studentor, të quajtur “M Vakti Studentor”, si dhe rritjen e shumës së përgjithshme mujore nga 3.500 në 4.500 denarë.

Përveç kësaj, parashihet publikimi i listës së operatorëve dhe marketeve ku studentët do të mund t’i shfrytëzojnë mjetet, ndërsa zbritjet do të vlejnë deri në fund të muajit, pavarësisht nëse studenti e ka shpenzuar të gjithë shumën prej 4.500 denarësh.

Nga “Rezistenca Studentore” theksojnë se pranimi i modelit të propozuar kushtëzohet me përfshirjen e këtyre zgjidhjeve në ligj dhe publikimin me kohë të listës së kompanive dhe marketeve.

Propozimi për rritjen e vaktit të subvencionuar studentor nga 3.500 në 4.500 denarë në muaj, vendosjen e një shërbimi të veçantë digjital në aplikacionin “M.Shërbime” dhe zbritje shtesë për studentët gjatë blerjes së ushqimit, iu prezantua përfaqësuesve të parlamenteve studentore të të gjitha universiteteve në takimin e së mërkurës me kryeministrin dhe ministren e Arsimit, ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë.

Mickoski të premten tha se pret përgjigje nga studentët lidhur me propozimin për ndryshimin e modelit të vaktit të subvencionuar studentor. Ai theksoi se në takimin me studentët u ishte shpjeguar propozimi i Qeverisë për vaktin studentor, për të cilin, sipas tij, edhe studentët ishin pajtuar se është zgjidhje më e mirë sesa modeli aktual.