Spasovski: Fishekzjarret nuk janë lodra, përdorimi i tyre është rreptësisht i ndaluar

Fishekzjarret nuk janë lodra, përdorimi i tyre është rreptësisht i ndaluar dhe gjuajtja me fishekzjarre mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme për jetën dhe shëndetin, duke lënë pasoja jashtëzakonisht të rënda që mund të vulosin jetën e një të riu. Mesazhi thotë: Fishekzjarret janë të rrezikshme, të dëmshme dhe aspak të “cool”, tha sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, gjatë ushtrimit demonstrues në kuadër të fushatës për parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike “Jo fishekzjarre – Siguria në radhë të parë”, transmeton Portalb.mk

Ushtrimi demonstrues u mbajt në Sheshin Maqedonia, i organizuar nga SPB Shkup dhe Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit, me mbështetjen e Klinikës Universitare për Kirurgji Plastike dhe Rekonstruktive.

Fokusi i fushatës, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), është vënë në rreziqet e përdorimit të fishekzjarreve dhe mjeteve piroteknike me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për rreziqet që dalin nga përdorimi i paautorizuar i mjeteve piroteknike.

“Ministria e Punëve të Brendshme në kuadër të kompetencave të saj vetëm vitin e kaluar ka sekuestruar 86.639 lëndë piroteknike dhe këtë vit deri në nëntor janë rreth 21.000 copë dhe vetëm në 10 vitet e fundit janë sekuestruar rreth 40.000 lëndë të ndryshme piroteknike dhe numri i tyre do të rritet akoma. Këto aktivitete të MPB-së janë të vazhdueshme, me dinamikë të shtuar para dhe rreth festave të fundvitit, duke pasur parasysh shenjën sezonale të piroteknikës, të gjitha me synim rritjen e ndërgjegjësimit tek të rinjtë, por edhe tek prindërit e tyre, duke vënë në dukje se fishekzjarret nuk janë lodra, por mjete të rrezikshme që mund të shkaktojnë pasoja të pariparueshme dhe të përhershme për shëndetin e të rinjve”, theksoi ministri Spasovski.

Sipas tij, viti i kaluar ka kaluar pa asnjë lëndim të regjistruar nga fishekzjarre dhe mjete piroteknike dhe MPB-ja vazhdon të veprojë në këtë drejtim edhe këtë vit.

Drejtoresha e Klinikës për Kirurgji Plastike dhe Rekonstruktive, Dr. Sofia Pejkova, tha se fokusi i kësaj fushate është ngritja e vetëdijes kolektive për rreziqet e përdorimit të fishekzjarreve, me qëllim parandalimin e lëndimeve dhe komplikimeve të përhershme prej tyre.

“Është alarmante që duart janë në rrezik më të madh të lëndimit nga fishekzjarre, të cilat janë thelbësore për aktivitetet tona të përditshme. Edhe një shpërthim i vogël mund të çojë në paaftësi të përhershme, e cila më tej ndikon si në aftësitë fizike ashtu edhe në mirëqenien emocionale”, tha doktoresha Pejkova.

Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti, theksoi se Kryqi i Kuq, në prag të festave të Vitit të Ri, kur ka përdorim më të madh të mjeteve piroteknike, i bashkohet fushatës së Ministrisë së Punëve të Brendshme që synon të të gjithë popullatës me qëllim të ndërgjegjësimit të publikut për rreziqet që shfaqen nga përdorimi i fishekzjarreve.