Sot rivotuan dhjetëra qytetarë në Maqedoninë e Veriut

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut që janë regjistruar si të sëmurë ose të privuar nga liria, sot kanë shfrytëzuar të drejtën e rivotimit në shtatë vendvotimet që do të shkojnë nesër në rivotim pas vendimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe Gjykatës Administrative, transmeton Portalb.mk.

“Gjithsej 45 persona që kanë qenë të regjistruar si të sëmurë ose si të pafuqishëm kanë pasur të drejtë të votojnë në vendvotimet ku zhvillohet rivotimi në Zhelinë, Krushevë, Ohër, Dollnen dhe Strugë”, raportoi KSHZ-ja, duke vlerësuar që votimi të bëhet pa pengesa.

Në vendvotimin 2101 në Zhelinë kanë votuar 4 persona të sëmurë, në VV 1194 në Krushevë votuan 18, në VV 1202 në Krushevë votuan 6 persona, në VV 1272 në Ohër votuan 2 persona, në VV 1470 në Dollnen votuan 7 persona, në VV 1470/1 në Dollnen votuan 2 persona, ndërsa në VV 1844 në Strugë votuan 4 persona.

“Të gjithë 5 personat e regjistruar për të votuar në burgjet në Prilep dhe Shuto Orizarë sot kanë votuar në objektet ku janë duke qëndruar, gjithashtu të drejtën e tyre të votës e kanë shfrytëzuar edhe dy votuesit e regjistruar në qendrat e kujdesit jashtë familjar në Komunën e Karposhit dhe të Manastirit”, njoftoi KSHZ-ja.

Ndryshe, nesër (22 maj) do të votohet në shtatë vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6, saktësisht në vendvotimet 2101 në Zhelinë, 1194 dhe 1202 në Krushevë, 1272 në Ohër, 1470 dhe 1470/1 në Dollnen, si dhe në 1844 në Strugë. Kjo për shkak se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e ka anuluar votimin në këto vendvotime, ndërsa vendimin e ka konfirmuar edhe Gjykata Administrative.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.