Sonte në Teatrin e Tetovës do të jepet premiera e shfaqjes për fëmijë ‘Luaj me ne’, në fokus varësia nga bota digjitale

Sonte, më 11 nëntor, me fillim nga ora 19:00, do të jepet premiera e shfaqjes për fëmijë “Luaj me ne”, me autor Ibër Deari dhe nën regji të Gent M. Çajanit. Shfaqja sjell në skenë një histori plot fantazi, lojë dhe mesazh të thellë për botën moderne në të cilën fëmijët po humbasin kontaktin me realitetin për shkak të varësisë nga pajisjet digjitale. Përmes personazheve të saj, “Luaj me ne” i fton fëmijët të zgjedhin lojën e vërtetë në vend të ekranit, shoqërinë në vend të vetmisë virtuale dhe imagjinatën në vend të varësisë teknologjike, shkruan Portalb.mk.

Nëse fëmijët rrinë shumë gjatë me telefona dhe ekrane, ata bien në një gjumë të thellë nga i cili nuk zgjohen më. Kështu thotë legjenda…

Blini, një djalë i guximshëm dhe udhëheqës loje, e di këtë rrezik dhe merr përsipër të shpëtojë shokun e tij, Nonin, i cili është zhytur në telefon dhe rrezikon të humbasë në gjumin e pafund.

Me lojëra, fantazi dhe humor, Blini jo vetëm përpiqet ta zgjojë Nonin, por fton edhe fëmijët në sallë të bëhen pjesë e udhëtimit. Sepse vetëm loja, kënga dhe imagjinata mund ta mposhtin “mallkimin e teknologjisë”.

Gent M. Çajani regjisor i shfaqjes për Portalb.mk tha se me këtë shfaqje dëshirojnë t’i zgjojnë fëmijët nga gjumi digjital, t’i kthejmë te loja, te mendimi dhe lëvizja. Sepse pas ekranit shpesh fshihet një botë e errët që nuk e njohim, ndërsa vetëm përmes lojës dhe imagjinatës mund t’i mbrojmë nga ajo.

“Teksti më ka lënë shumë përshtypje, sepse trajton një temë që prek të gjithë distancimin e fëmijëve nga rrjetet sociale, telefonat dhe lojërat digjitale. Është një problem shoqëror që po na përfshin të gjithëve. E kam parë të arsyeshme ta realizoj këtë shfaqje për grupmoshat e reja nga parashkollorët deri në klasën e pestë apo të gjashtë sepse ajo pasqyron një realitet të hidhur. Ne nuk e dimë gjithmonë se çfarë pasojash sjell pas vetes kjo botë digjitale. Në skenë mundohemi t’i prekim këto probleme përmes lojës, duke i larguar fëmijët nga ekranet dhe duke i nxitur të lëvizin, të mendojnë dhe të ushtrohen psiko-fizikisht. Sepse vërtet kemi mbetur prapa në një botë që po bëhet gjithnjë e më e errët, dhe askush nuk e di çfarë fshihet pas saj,” tha regjisori Çajani.

Ai shtoi se shfaqja është interaktive ka pyetje, përgjigje dhe ndërveprim të drejtpërdrejtë me fëmijët, ajo u jep atyre ide se si të dalin nga bota digjitale.

“Unë vetë, kur dal gjatë ditës në lagje, nuk shoh më fëmijë duke luajtur jashtë, dhe kjo më shqetëson. Jam përpjekur ta sjell botën digjitale në skenë përmes videoprojektimeve, ndriçimit dhe elementeve konkrete si kostumet shumëngjyrëshe e tërheqëse. Mendoj se fëmijët do ta gjejnë veten në këtë shfaqje, sepse ajo përfshin edhe lojëra skenike me kuaj, shpata, topa dhe shumë elemente që nxisin imagjinatën. Jam i bindur se do të pëlqehet shumë nga publiku i vogël”, tha Çajani.

Në shfaqje interpretojnë aktorët: Bekim Jahiu dhe Ardit Selmani.

Biletat mund ti siguroni nga ora 10:00-16:00 në kontakt telefonin: 070/880-711.

Çmimi i biletës kushton 150 denar.

Ky projekt është i mbështetur nga Komuna e Tetovës.