Sistematizimi në Ministrinë e Brendshme midis akuzave për përjashtim etnik dhe premtimeve për përfaqësim të drejtë

Sistematizimi i ri në MPB ka shkaktuar reagime te opozitarja BDI për mospërfaqësim adekuat të shqiptarëve, ndërsa zëvendësministri premtoi se do të ruhet përfaqësimi i drejtë, raporton Portalb.mk.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shprehet e shqetësuar për riorganizimin e strukturës drejtuese në MPB.

“Në rrethanat aktuale, kur një pjesë e konsiderueshme e këtyre pozitave mbahen nga shqiptarë, shfuqizimi i tyre pa mekanizma të qartë për garantimin e përfaqësimit krijon rrezik real për prishjen e balancës së arritur ndër vite. Deklaratat e përgjithshme për “mosshqetësim” nuk janë të mjaftueshme,” thonë nga BDI.

Këto akuza i mohoi zëvendësministri i Brendshëm Astrit Iseni. Ai tha se përfaqësimi i shqiptarëve jo vetëm që do të ruhet, por edhe do të përmirësohet.

“Ruajtja e përfaqësimit të drejtë është parim i pandryshueshëm i MPB-së. Jo vetëm që do të mbetet, por do të avancohet sipas standardeve që respektojmë si institucion dhe si shtet. Garantoj se në çdo model të ri organizativ shqiptarët do të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe në disa segmente edhe më mirë se më herët. Askush nuk do të lejojë nënçmim të ndonjë qyteti, rajoni apo bashkësie etnike,” tha Iseni.

Një ditë më parë, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski e konfirmoi se MPB-ja nëpërmjet sistematizimit të ri planifikon shfuqizimin e pozitave të zëvendësve dhe ndihmës kryeshefave të sektorëve.

Struktura drejtuese pritet të jetë për 37-38% më e vogël kurse pozitat që mbesin do të kenë përgjegjësi të definuara konkrete.

Struktura drejtuese do të zvogëlohet me rreth 37–38%. Pozitat që mbeten do të kenë përgjegjësi më të qarta.

Aktualisht, shumë nga këto pozita mbahen nga shqiptarë. Kjo ngre shqetësime për përfaqësimin etnik.

Ndryshime do të ketë edhe në sektorët dhe departamentet lokale të policisë.

Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.

Në ndërkohë u premtua se Balancuesi do të zëvendësohet me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, por ky ligj nuk është miratuar ende dhe po zvarritet.