Kur fjala mungon, shpërthen heshtja: ‘Terapia’ e Sulë Rushitit vjen si reflektim i fortë teatral (Video)
Një përplasje emocionesh të heshtura dhe të vërtetash të pathëna së shpejti pritet të vihet në skenë përmes dramës më të re “Terapia”, projekt i autorit dhe regjisorit Sulë Rushiti Korbi. Nën produksionin e Shoqatës për Kulturë “Euneum”, kjo vepër psikologjike sjell një qasje intime dhe reflektuese mbi marrëdhëniet njerëzore, duke prekur plagët e padukshme që shpesh mbeten të fshehura, shkruan Portalb.mk.
Me interpretimin e aktorëve Linda Shabani dhe Abdulla Osmani, shfaqja eksploron tensionet emocionale që lindin nga mungesa e komunikimit, duke e ftuar publikun në një udhëtim të brendshëm mbi afërsinë, distancën dhe sinqeritetin në raportet mes njerëzve.
Regjisori Sulë Rushiti për Portalb.mk thekson se “Terapia” ka lindur si një nevojë artistike për të depërtuar në botën e brendshme psikologjike dhe për të trajtuar brishtësinë e marrëdhënieve intime. Ndryshe nga proceset e zakonshme, ku një tekst ekzistues frymëzon realizimin skenik, në këtë rast fillimisht ka lindur ideja dhe më pas është shkruar drama.
“Kur vendosim të nisemi drejt një projekti të ri teatral, në thelb vendosim të përballemi me një temë. Me një nyje të realitetit që kërkon të zgjidhet, të shpaloset: një problematikë sociale, psikologjike, politike, apo një fenomen njerëzor që na provokon mendimin dhe ndjesinë. Në këtë proces, zakonisht i drejtohemi dramaturgjisë për të gjetur një tekst që, në aspektin estetik dhe përmbajtësor, i afrohet vizionit që kemi në mendje. Ndonjëherë është teksti ai që e ndez këtë proces dhe e shtyn përpara imagjinatën krijuese. Në rastin e “Terapisë”, ndodhi e kundërta: fillimisht lindi ideja dhe dëshira për ta trajtuar këtë fenomen njerëzor, atë çarje të padukshme që shpesh ndodh në marrëdhëniet intime mes njerëzve dhe kështu lindi edhe teksti dramatik. Pra, drama u shkrua si një nevojë për ta eksploruar këtë territor të brendshëm psikologjike”, tha Rushiti.
Aktori Abdulla Osmani për Portalb.mk tha se janë munduar të sjellin tema që shpesh mungojnë në skenë.
“Kryesisht ne si shoqatë kulturore jemi marrë me teatrin alternativ, ku jemi munduar shpesh të trajtojmë tema të cilat ndoshta mungojnë shpesh në skenën tonë, tema moderne, tema aktuale. Tema për të cilën ne punojmë këtë radhë ka të bëjë me marrëdhënien brenda çiftit”, tha Osmani.