Si përhap Rusia lajme të rreme në Ballkan?
Ishte mesnatë në Teheran dhe ora 22:00 në Beograd më 13 prill, kur do të niste një fushatë masive dezinformuese. Atëkohë, Irani sapo kishte nisur një nga sulmet e tij më të mëdha me dronë dhe raketa kundër Izraelit, duke i rritur edhe më shumë tensionet në Lindjen e Mesme, raporton Radio Evropa e Lirë.
Derisa bota i ndiqte nga afër lajmet, një medium i panjohur në gjuhën serbe filloi të shpërndante artikuj për sulmin iranian me shpejtësi marramendëse – më shumë se 100 çdo orë – edhe pse faktet dhe detajet ishin të pakta dhe vështirë të arritshme.
Pjesa më e madhe e këtyre informacioneve duket se e kishte burimin te kanalet në Telegram në gjuhën ruse, rrjeti RT i financuar nga Kremlini ose media të tjera të drejtuara nga shteti rus.
Një hulumtim prej muajsh i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë gjeti se e gjitha ishte pjesë e një rrjeti më të gjerë dezinformues pro Kremlinit, i cili përdor automatizimin për të krijuar me shpejtësi qindra artikuj – shpesh të bazuar në përmbajtje nga mediat ruse, të cilat janë të ndaluara nga Bashkimi Evropian.
Si funksionon rrjeti?
VIGINUM, një mekanizëm i Qeverisë franceze që monitoron ndërhyrjet e huaja digjitale, publikoi në muajin shkurt një raport për një rrjet propagandistik prorus, i quajtur “Portal Kombat”.
Ai identifikoi rreth 193 faqe interneti që synonin të përhapnin informacione nga burimet proruse, si dhe nga organet dhe institucionet ruse të lajmeve.
Për katër muaj, Radio Evropa e Lirë gjurmoi ueb-faqe në shumë gjuhë, të cilat kishin në shënjestër audiencat në Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.
Hulumtimi i Radios Evropa e Lirë hodhi dritë mbi këtë operacion global, duke treguar se si “artikujt” gjeneroheshin në mënyrë automatike dhe lëshoheshin në valë, për të përfunduar pastaj në ueb-faqet në gjuhët lokale, të cilat maskoheshin si burime legjitime lajmesh.
Simpati për Rusinë
Ballkani, prej kohësh, është dëshmuar si terren tërheqës për narrativët prorusë, e sidomos Serbia, presidenti i së cilës, Aleksandar Vuçiq, ka krijuar marrëdhënie miqësore me presidentin rus, Vladimir Putin, ndërkohë që kërkon anëtarësimin në BE.