Si ndikoi propaganda e Serbisë në zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës

Zgjedhjet e parakohshme që u zhvilluan në katër komunat e Mitrovicës së Veriut shënuan pjesëmarrjen e vetëm 13 serbëve në këtë proces. Edhe pse një rezultat në dukje i pritshëm, për shkak të bojkotit të shpallur nga Lista Serbe, ra në sy propagandimi në prag të zgjedhjeve të 23 prillit, nga politikanë dhe mediat serbe se në komunat e veriut të Kosovës mbizotëronte pasiguria dhe terrori, shkruan Faktoje.al.

Me datë 23 prill, katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës zhvilluan zgjedhje të parakohshme. Qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut votuan për të zgjedhur kryetarët e tyre dhe përbërjen e asambleve komunale.

Arsyeja e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme ishte se në nëntor 2022 partia Lista Serbe u largua nga institucionet vendore dhe kryebashkiakët e saj në veri dhanë dorëheqjen, ndaj qeveria e Kosovës shpalli zgjedhjet e parakohshme për t’i zëvendësuar ata. Megjithatë, edhe këto zgjedhje u zhvilluan nën hijen e një bojkoti të dytë, pasi Lista Serbe refuzoi të prezantonte kandidatë. Pas një pjesëmarrjeje shumë të ulët, me vetëm 3.47% e qytetarëve me të drejtë vote, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokrate e Kosovës dolën fitues.

Por çfarë roli luajti media dhe politika serbe dhe cila qe narrativa që i parpapriu këtij procesi në veriun e tensionuar të Kosovës?

Eshtë fakt se situata e nderë në veri u përkeqësua nga deklaratat e politikanëve serbë në Kosovë dhe Serbi dhe nga mënyra se si u raportua nga ana e portaleve serbe. Më poshtë ilustrimi i disa prej narrativave me prejarjdhje nga mediat serbe, të përhapura edhe në mediat shqiptare.

BurimTelegrafi

Pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve, Vuçiç paralajmëroi se jo më shumë se 100 serbë do të merrnin pjesë në to. Ndërkohë Telegraf e përcolli këtë deklaratë duke cituar Vuçiç se askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar.

Kjo lloj klime dhe propagande u pasua me një pjesëmarrje vërtetë të ulët në zgjedhjet e 23 prillit ku nga 45,095 qytetarë me të drejtë vote në komunat e veriut, vetëm 3.47% e tyre u shfaqën në qëndrat e votimit sipas KQZ-së: 1,566 shqiptarë dhe 13 serbë.

BurimLapsi

Po para zgjedhjeve, Vuçiç i prezantoi këto të fundit si një pushtim i plotë i veriut. “Çfarë do të ndodhë më pas, do të jetë një pushtim i plotë për të cilin qytetarët tashmë janë gati, janë mësuar,” tha ai për portalin serb Beta.

Fjalimi i Vuçiç i përket një retorike shumë-vjeçare nga ana e Serbisë që i ka prezantuar politikat e qeverisë së Kosovës në veri si një përpjekje për të dëbuar serbët nga zona. Në të shkuarën, si Vuçiç dhe pjesëtarë të kabinetit të tij kanë bërë deklarata të pabaza ku kanë përshkruar politikat e qeverisë Kurti si kundra-serbe. Kurti i është kundërvënë këtyre deklaratave, dhe i ka ftuar serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mos manipulohen nga Serbia.

BurimGazeta Express

Për më tepër, Ana Bërnabiq ka fajësuar Perëndimin për zgjedhjet në Veri. “Zgjedhjet janë muzgu i fundit i demokracisë dhe çdo pamje të sundimit të ligjit në territorin e Kosovës dhe Metohisë pasi që janë drejtuar nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, me ndihmën e përzemërt të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë ajo.

Vuçiç i ka quajtur ato cirk duke deklaruar se, [Perëndimorët] mendojnë se mund t’i detyrojnë serbët të duan Kosovën e pavarur duke paguar disa OJQ dhe media që t’i detyrojnë ata të votojnë. Nuk ka asnjë provë që OJQ-të në Kosovë të jenë përpjekur të shtyjnë serbët e Kosovës për të votuar duke iu dhënë atyre para.

Por në një deklaratë pas zgjedhjeve në komunat e veriut të Kosovës, SHBA shkruan se ato janë mbajtur në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke theksuar se zyrtarët kosovarë bënë të gjitha përpjekjet për të vendosur në dispozicion të qytetarëve vende votimi. Deklarata gjithashtu shprehte keqardhje për vendimin e Listës Serbe për bojkot, duke bërë përgjegjës pikërisht ata për pjesëmarrjen e ulët.

Mediat Serbe

Mediat serbe po ashtu kanë përdorur gjuhë të ashpër, sensacionaliste dhe deklarata të ngjashme për zgjedhjet e 23 prillit.  Për shembull, portali Informer ka publikuar foto të rrugëve të boshatisura në komunat kur u mnbajtën zgjedhjet e 23 prillit, me përshkrimin “Rezultatet e parakohshme të zgjedhjeve janë këtu: Serbët patën një pozicion të qartë, Mjaft Terrorit të Albin Kurtit.”

Portali Blic shkruan “Kontejnerët e Kurtit pushtojnë Veriun e Kosovës! Çfarë plani ka kryeministri i Prishtinës me zgjedhjet e së dielës: Vëri shqiptarët në krye të serbëve dhe provoni se Asociacioni është i pakuptimtë?!”

BurimBlic

Edhe Novosti ka bërë publikime të ngjashme, duke shkruar: “Rrugët boshe të Mitrovicës si fantazmë: Asnjë person i gjallë, vetëm policia e Kurtit tek kontejnerët e votimit në qytetin e KFOR-it.”

Kontejnerët në fjalë u përfolën së tepërmi nga portalet serbe, edhe përse ato ishin vënë në dispozicion, pasi shkollat (të cilat kontrollohen nga serbët e Kosovës) nuk ishin të disponueshme. Por ato janë trajtuar si simbol përbuzjeje dhe mungese respekti nga portalet serbe, e më pas janë shpërndarë edhe nga serbët e Kosovës në mediat sociale.

Organizata jo-qeveritare Demokracia në Veprim e cila ka monitoruar zgjedhjet, vuri re se propaganda serbe kundër zgjedhjeve ka pasur pasojat e saj: “Refuzimi i subjekteve politike nga komuniteti serb për të marrë pjesë në zgjedhje, si dhe tërheqja e kandidaturave pas certifikimit nga KQZ, ka rezultuar në bojkotim të zgjedhjeve nga ana e votuesve të komunitetit serb në këtë pjesë. Në këtë drejtim, rol kanë luajtur edhe thirrjet dhe kërkesat e vazhdueshme të Listës Serbe për mospjesëmarrje në zgjedhje të votuesve serbë” shkruajnë ato në një deklaratë të publikuar pas zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë analisti i çështjeve të politikës, Blerim Burjani pohon se propangada serbe ka ndikuar në bojkot duke krijuar një atmosferë dhune: “Normal që propaganda, dhuna politike dhe kërcënimi nuk i lënë serbët të dalin në zgjedhje dhe t’i zgjidhin problemet që kanë qytetarët. Kredibiliteti zgjedhor varet nga dalja e qytetarëve në zgjedhje.”

Në intervista për median kosovare, serbët e veriut kanë theksuar mungesën e kushteve si arsye për mospjesmarrjen në zgjedhje. “As që mendoj të dal në zgjedhje… Zgjedhjet duhet të mbahen kur të krijohen kushtet dhe se kur do të ndodhë kjo nuk e di”, ka thënë Sllobodanka Zaporozhac, qytetare e veriut të Mitrovicës për Kosova Press.

Aleksandar Arsenijeviq, lider i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe,” ka folur për mungesë të kushteve dhe bojkotimin e Listës Serbe, por edhe për të drejtat kolektive të tyre: “Pikërisht për shkak të një pjese të këtyre arsyeve nuk kam kandiduar, ndërsa arsyeja tjetër është se kur bëhet fjalë për të drejtat kolektive të komunitetit tonë në Kosovë, ne duhet të qëndrojmë pranë popullit tonë,” ka thënë ai.

Si pasojë e bojkotimit nga ana e serbëve, për herë të parë dy parti shqiptare kanë fituar pushtetin komunal në veri. Në Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut, zgjedhjet i kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje. Komunat e Zubin Potokut dhe Zveçanit i fitoi Partia Demokratike e Kosovës.

Po sipas Demokracia në Veprim, ndonëse zgjedhjet plotësuan kriteret minimale ligjore, ato nuk garantojnë legjitimitet politik si përfaqësues të institucioneve që do të prodhohen nga to.

Ndërkohë, nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojçiç tha në emër të partisë se nuk do të lejojnë që komunat në veri të udhëhiqen nga ata që morën 2 për qind të votave.

Edhe pasi faktori ndërkombëtar theksoi se Kosova ka të drejtën ligjore për të mbajtur zgjedhjet, Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrel e konsideron atë një zgjidhje afatshkurtër. Në fakt, bojkotimi i këtyre zgjedhjeve po përdoret nga Bashkimi Europian për të shtuar presionin mbi Kosovën për krijimin e Asociacionit.

“Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe Kosova duhet ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit së Komunave me Shumicë Serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur,” shkruhet në një deklaratë të lëshuar nga BE-ja.