Si do të reflektohen zgjedhjet në Bullgari në raportet me Maqedoninë e Veriut?

Zgjedhjet parlamentare në Bullgari ku sipas rezultateve paraprake fitues doli koalicioni konservator GERB-SDS (Unioni i Forcave Demokratike), i kryesuar nga ish-kryeministri Bojko Borisov, nuk zgjidhin krizën politike në këtë vend, në veçanti kontestin që ka me Maqedoninë e Veriut, thonë njohësit e çështjeve politike në Shkup, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ish-diplomati maqedonas, Risto Nikovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se “qasja e Sofjes” nuk do të ndryshojë as pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës. Ai konsideron se raportet mes forcave politike nuk japin shpresë për formimin e një Qeverie stabile, me të cilën do të mund të bisedohej për çështjet kontestuese.

Edhe ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, shpreh dyshime nëse ndonjëra parti do të jetë në gjendje ta formojë Qeverinë e re. Ai thotë se është pesimist se partia e tij, GERB, të mund të sigurojë shumicën për formimin e shumicës parlamentare.

Veç kësaj, skena politike në Bullgari do të jetë akoma më e tensionuar me retorika nacionaliste pasi në Parlamentin bullgar, me gjasë do të hyjë edhe partia “Veliçie” (Partia e madhështisë) me orientim prorus. Së bashku me partinë “Prerodba” (Ripërtëritja) dhe socialistët, Veliçie është partia e tretë proruse që do të ketë përfaqësuesit e saj në Parlamentin bullgar.

Maqedonia e Veriut për zhbllokimin e procesit eurointegrues duhet të miraton ndryshimet kushtetuese që nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.