Shqipëria me rritjen më të madhe turistike në Evropë

Të tjera të dhëna nga institucione ndërkombëtare tregojnë suksesin që pati Shqipëria turistike në vitin që lamë pas, raporton Klan. Pagella Politica, një faqe që merret me verifikimin e fakteve, referuar të dhënave të EUROSTAT, shkruan se për herë të parë Shqipëria renditet si vendi që pati rritjen më të madhe të flukseve turistike në Europë për 2023.

Nëse vende të tjera e patën të vështirë të tejkalonin shifrat e regjistruara në 2019 e disa të tjera nuk ia dolën, Shqipëria jo vetëm që e ka tejkaluar, por i parapriu edhe vendeve me traditë në sektorin e turizmit.

Në këtë hartë me blu të theksuar është Shqipëria që në 2023 ka mundur të rrisë me 54% neto qëndrimet krahasuar me 2022, ku një ndikim në këtë shifër veçanërisht kanë patur turistët italianë. Maqedonia e Veriut pati një rritje me 11 përqind, Mali i Zi me 8.7 dhe Greqia me 7.5.

Italia do ta mbajë mend 2023-n si vitin më të keq turistik, ndërsa edhe Sllovenia dhe Kroacia shënuan një rënie të fjetjeve krahasuar me një vit më parë, por në një masë më të vogël se Italia. Për Shqipërinë 2023 u mbyll me shifrën rekord prej 10.1 mln turistë, e tashmë ka hyrë në një vit ku sinjalet flasin shtim të flukseve të vizitorëve të huaj.