Shqipëria i ka kthyer Maqedonisë së Veriut 20 ikona që janë marrë ilegalisht në kisha dhe manastire

Ministrja e Kulturës në Maqedoninë e Veriut, Bisera Kostasdinovska – Stojçevska, në një takim pune në Tiranë me homologen shqiptare, Elva Margariti, arriti të realizon një zotim të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për kthimin e disa veprave artistike në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Arsyeja e vizitës është dorëzimi i ikonave maqedonase të eksportuara ilegalisht, që rastësisht janë njohur përmes mediave shqiptare nga ekspertë maqedonas në vitin 2013”, njoftoi Ministria e Kulturës.

Këto vepra artistike që do të vijnë nga Shqipëria për t’u ekspozuar në hapësirat e Muzeut të Maqedonisë së Veriut.

“Pas një pune 10-vjeçare, finalizuam me sukses kthimin në shtëpi të 20 ikonave që u përkisnin kishave dhe manastireve të Maqedonisë së Veriut. Edhe një herë shteti shqiptar tregoi se është në anën e së drejtës, duke dhënë një shembull pozitiv në procesin e kthimit në vendin e origjinës të objekteve-trashëgimi kulturore të grabitura, të zhdukura apo të humbura, në respektim të konventave ndërkombëtare”, deklaroi Margariti.

Dy ministret kanë biseduar edhe në lidhje me aktivitetet e përbashkëta për bashkëpunim në kuadër të UNESKO-s.

Ndryshe, në nëntor të vitit 2022, marrëveshja për bashkëpunim për kthimin e ikonave të eksportuara ilegalisht nga vendi i origjinës, u nënshkrua nga ministret e kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe Elva Margariti, në suaza të takimit ndërqeveritar ndërmjet dy shtete.