Shqipëria dhe tri shtete të tjera të rajonit në “black out”, KE nis hetim ndërkombëtar për incidentin

Komisioni Europian pritet të nisë një hetim ndërkombëtar për ndërprerjen e energjisë elektrike gjatë të premtes në katër vende të rajonit, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe pjesërisht në Kroaci. Një hetim Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) do të përcaktojë shkaqet nga kanë nisur problemet, shkruan Top Channel.

“Më 21 qershor,rreth orës 12:20, një incident i madh në rrjet ka ndodhur në pjesën juglindore të sistemit energjetik të Evropës Kontinentale. Incidenti rezultoi në ndërprerje të rrjeteve elektrike të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe në një ndërprerje të pjesshme në Kroaci. OST-të e prekura, me mbështetjen e OST-ve fqinje, rikthyen energjinë në rrjetet e tyre brenda rreth 2 orësh, duke synuar minimizimin e ndikimit të ndërprerjes te konsumatorët. Në përputhje me metodologjinë e shkallës së klasifikimit të incidenteve, Komiteti i Operacioneve të Sistemeve i ENTSO do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh”, thuhet në njoftimin e ENTSO.

Ministri i Energjisë në Malin e Zi tha se ndërprerja u shkaktua nga një rritje e papritur e konsumit të energjisë, e shkaktuar nga temperaturat e larta.

Rrjetet e energjisë elektrike dhe wifi u fikën rreth orës 13:00 dhe energjia u kthye gjatë pasdites ose mbrëmjes. “Dështimi ndodhi si rezultat i një ngarkese të madhe në rrjet, një rritje e papritur e konsumit të energjisë për shkak të temperaturës së lartë dhe vetë temperaturave të larta”, tha në një transmetim televiziv ministri malazez Sasha Mujovic, duke shtuar se ekspertët po punojnë ende për të identifikuar origjinën e problemit, që pak orë paralizoi rajonin.

Media malazeze, Vijesti TV, raportoi për një zjarr në një linjë transmetimi 400 KW përgjatë kufirit me Bosnjën, megjithëse nuk është e qartë nëse kjo ka qenë shkaku i ndërprerjeve.

Ndërsa në Shqipëri, energjia u rivendos brenda gjysmë ore, por vendi mbetet në një rrezik të lartë për mbyllje të mëtejshme pasi përdorimi i energjisë vazhdon të jetë i madh për shkak të të nxehtit që ka përfshirë vendin