Shqipëri, u finalizua marrëveshja mes grupeve PS-PD

Në Shqipëri, shumica socialiste dhe grupi i deputetëve demokratë që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha konkretizuan sot marrëveshjen për të cilin ata kishin rënë dakort tre ditë më parë, e cila rikthen pas më shumë se 5 muajsh, normalizimin e jetës parlamentare në vend. Opozita bllokoi punimet e parlamentit, duke protestuar për refuzimin e kërkesave të saj për ngritjen e disa komisioneve hetimore të kërkuara nga ajo, si dhe për rrëzimin e kërkesës për riformatimin e Komisionit të Reformës zgjedhore, raporton VOA.

Për çështjen e parë, palët njoftuan pasditen e së premtes se kishin rënë dakort për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare, njëri për “Trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS”, ku rregjistrohen hyrjet daljet e qytetarëve shqiptarë, së bashku me disa të dhëna personale, dhe një komision të dytë për “Shërbimin publik të sterilizimit dhe të Check-up në shëndetësi”. Në rastin e çështjes së sterilimit të pajisjeve kirugjikale, Prokuroria e Posaçme është në fazën përmbyllëse të hetimit dhe mbetet e paqartë se çfarë elementësh të rinj mund të dalin në dritë. Por kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi tha se “komisionet hetimore parlamentare kanë një objektiv të ndryshëm nga drejtësia. Nga hetimet e deritanishme për shembull kanë dalë prova se koncensioni është reaizuar në konflikt interesi, e për pasojë kontrata duhet anulluar”.

Për çështjen e riformatimit të përbërjes së Komisionit të Reformës zgjedhore, i cili ka për bashkëkryetar deputetin Enkeljed Alibeaj, përfaqësuesi grupit të kryetarit të PD, Lulzim Basha, u gjet një zgjidhje alternative. Komisionit i përfundon mandati javën e ardhshme. Pas gati 1 vit e gjysëm ku nuk ndërmori asnjë hap, ai u riaktivua në janar, dhe me gjasë nuk duket se do të përmbyllet me ndonjë produkt. Socialistët nuk duken të interesuar të zgjasin më tej mandatin e tij. Disa çështje urgjente, me shumë mundësi, do të trajtohen me grupin e deputetëve të udhëhequr nga zoti Bardhi, në strukturën e re të dakortësuar mes tyre, e cila do të ngrihet brenda komisionit të Ligjeve, me deputetë nga të dyja palët për të trajtuar ligjet që kërkojnë tre të pestat, si dhe ndërhyrjet e rëndësishme ligjore që i nevojiten vendit në procesin e tij të anëtarësimit në Bashkimin europian.

I vënë në cep, nga kjo lëvizje mes socialistëve dhe shumicës së deputetëve demokratë, zoti Basha dy ditë më parë, në një intervistë për Zërin e Amerikës e foli për një bashkëpunim mes kryeministrit Edi Rama dhe ish kryeministrit Sali Berisha “për interesat e tyre, por kundër interesave të shqiptarëve”. Sot gjatë një takimi me bazën e partisë në Kurbin ai u shpreh se “revolucioni u flijua. Ku është përmbysja e Edi Ramës? Cila është fitorja që i shet sot demokratëve të Kurbinit që i more pas vetes me premtimin se do ta rrëzoje Edi Ramën? Të gjitha kanë avulluar si iluzione, sepse nisen me një pretendim të remë. Por diku tjetër fle lepuri, te marrëveshja famkeqe e kushtetutës 2008-ës për të mbajtur monopolin për kandidatët për deputetë, për të kontrolluar sistemin politik”.

Marrëveshja e sotme u përshëndet nga ambasada amerikane. Në një deklaratë të shpërndarë nnë rrjetet sociale theksohet se “ne nxisim deputetët të vazhdojnë të tregojnë përkushtim ndaj demokracisë në dobi të popullit shqiptar”.

Edhe kreu i Delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë Silvio Ginzato shkruajti po ashtu në rrjetet sociale se “vlerësoj lidershipin dhe përgjegjësinë e treguar nga palët në arritjen e marrëveshjes. Delegacioni i Bashkimit Evropian ka theksuar vazhdimisht se një asamble funksionale është çelësi për procesin e integrimit në BE.