Shpërtheu përsëri vullkani në Islandë
Një vullkan ka shpërthyer përsëri të enjten në jugperëndim të Islandës, për herë të gjashtë prej dhjetorit të kaluar, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Shpërthimi nga një plasje e re filloi pak pas orës 21:00 të enjten, si pasojë e një sërë tërmetesh të forta. Brenda një ore u hap një çarje rreth katër kilometra në karterin e Sundhnukurit.
Autoritetet islandeze thanë të premten se lava është duke rrjedhë nga vullkani edhe të premten, por ndikimi i shpërthimit të tij mbetet i lokalizuar.
Rrugët përreth janë mbyllur, por popullsia nuk është në rrezik, sipas tyre.
Halldor Bjornsson, kryetar i Agjencisë Meteorologjike të Islandës, tha për portalin islandez Visir se për dallim nga shpërthimet e kaluara, rrjedha e lavës nga shpërthimi i së enjtes nuk është duke shkuar drejt qytetit Grindavik. Banorët e këtij qyteti u evakuuan në dhjetor kur vullkani shpërtheu për herë të parë pas 800 vjetëve.
“Nëse vazhdon kështu, Grindaviku nuk është në rrezik”, tha gjeofizikani Magnus Tuma Guomundsson pasi fluturoi përmbi vullkan. “Natyrisht se nuk e dimë çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt, por ka gjasa se vullkani e ka arritur kulmin dhe do të fillojë të shuhet sikurse shpërthimet e kaluara”, shtoi ai.
Por, për njerëzit që jetojnë dhe punojnë në gadishullin e Rejkjanës, shpërthimet e vazhdueshme dhe urdhrat për evakuim janë bërë bezdisëse.
Blue Lagoon spa, njëri prej atraksioneve më të mëdha turistike të Islandës, u mbyll pas urdhrave për evakuim.
Ai u mbyll të premten, por stafi i tij është duke u përgatitur për ta rihapur, tha menaxherja Helga Arnadottir për transmetuesin publik RUV.
Shpërthimet e vazhdueshme të vullkanit në afërsi të Grindavikut, një qytet me 3.800 banorë rreth 50 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Rejkjavik, e kanë dëmtuar infrastrukturën dhe pronat, si dhe i kanë detyruar shumë banorë të rizhvenodsen për sigurinë e tyre.
Në Islandë ndodh shpërthimi i një vullkani çdo katër-pesë vjet mesatarisht. Më 2010 ndodhi shpërthimi i vullkanit Eyjafjallajokull, më i madhi në vitet e fundit, duke lëshuar re të mëdha hiri në atmosferë, gjë që shkaktoi mbylljen e hapësirave ajrore nëpër Evropë.
Shpërthimi më i fundit nuk pritet ta pengojë trafikun ajror.