Shkup, nesër do të mbahet Dita e Hapur e ARM-së me rastin e themelimit të NATO-së dhe anëtarësimit në aleancë

Nesër, më 23 mars (e shtunë), duke filluar nga ora 11:00, në Stadiumin Ushtarak në Parkun e Qytetit në Shkup do të mbahet Dita e Hapur e Armatës, e organizuar për të shënuar 4 vjetorin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe 75 vjetorin e themelimit të Aleancës, transmeton Portalb.mk.

Ditën e Hapur do ta vizitojnë në ora 12 ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Azim Nuredin.

“Ftojmë qytetarët e Shkupit të vizitojnë Ditën e Hapur ku përveç mjeteve të ekspozuara ushtarake, automjeteve dhe pajisjeve, do të mund të ndjekin edhe ushtrimet demonstruese nga pjesëtarët e batalionit të forcave speciale, aftësitë alpinistike të renxherëve, ushtrimin me qentë e ushtrisë si dhe një performancë muzikore nga Orkestri Ushtarak”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.

Pjesëtarët e Armatës do të njohin qytetarët me karakteristikat teknike të disa prej armatimeve dhe pajisjeve të njësive të këmbësorisë, njësisë MABK, policisë ushtarake, njësive speciale, njësive për lidhje, njësive inxhinierike dhe me disa lloje automjetesh ushtarake.

Ndër të ekspozuarave do të jenë mjetet e blinduara më të fundit JLTV, Cobra, helikopteri i ushtrisë MI/17 dhe një makinë-robot për gjetjen e mjeteve shpërthyese.

Në tribuna të veçanta Akademia Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostolski” do të prezantojë programet e saj dhe mundësitë e studimit në Akademi, profesionin e pilotit ushtarak dhe mundësitë për pranim në Armatë si ushtarë profesionistë dhe qytetarët do të mund të marrin një kopje të revistës së Ministrisë për mbrojtjen, “Mburoja”.

Kujtojmë se me 17 mars 2024, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, bashkë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-nënkolonel Vasko Gjurçinovski në Tetovë morën pjesë në ekspozimin e pajisjeve ushtarake dhe shkathtësive të përfaqësuesve të Armatës, në kuadër të ditëve të hapura të armatë.

Dita e hapur në Tetovë ishtepjesë e ngjarjeve të planifikuara të cilat organizohen në shtatë qytete, nëpërmjet të cilave do të shënohet 75 vjetori i themelimit të NATO-s dhe 4 vjetori i anëtarësimit të vendit në këtë aleancë ushtarake. Deri më tani, ngjarja është mbajtur në Strumicë, Kavadar dhe Shtip.