Shkup, materialet propagandistike të zgjedhjeve mbeten nëpër rrugë (VIDEO)

Zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut përfunduan, megjithatë materialet propagandistike qëndrojnë ende rrugëve të kryeqytetit, Shkupit, pavarësisht se të njëjtat, në përputhje me Kodin Zgjedhor duhet të largohen në afat prej 30 ditëve. Nëpër rrugë sheh gjithandej bilborde me kandidatët e zgjedhjeve të dyfishta, ndërkaq partitë heshtin, shkruan Portalb.mk.

Zgjedhjet presidenciale u zhvilluan më 24 prill 2024, ndërkaq rrethi i dytë bashkë me zgjedhjet parlamentare u zhvillua më 8 maj të vitit 2024.

Kodi Zgjedhor obligon partitë 12 ditët në vijim të largojnë materialet propagandistike, edhe atë siç qëndron në tekst “pjesëmarrësi në fushatën zgjedhore ka për detyrë që në afat prej 30 ditësh pas përfundimit të zgjedhjeve, ta mënjanojë mbeturinën nga afishet”.

Redaksia Portalb.mk, ka provuar të marrë një përgjigje koalicionet: VMRO, LSDM, Fronti Evropian dhe VLEN, por nuk ka ndonjë reagim, përpos deklaratave se “çështja është dorëzuar te personat kompetent”.

Në vazhdim të tekstit nga Kodi Zgjedhor, përkatësisht neni 185, parasheh edhe “gjobë në shumë prej 2.500 euro në kundërvlerë me denarin do t’i shqiptohet partisë politike, koalicionit përkatësisht kandidatit të pavarur të regjistruar nëse në afatin e përcaktuar në nenin 79 paragrafi (2) i këtij kodi nuk e mënjanojnë mbetjen nga afishet”.

Materialet propagandistike vazhdojnë e qëndrojnë edhe në qytete tjera si Tetova, Kumanova, Gostivari dhe të tjera.

Kujtojmë që zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Rivotim në shtatë vendvotime në zonën 5 dhe 6 pati me 22 maj.