Shkrimtarë, shkencëtarë, artistë, kërkojnë lirimin e Navalny-t
Më shumë se 130 shkrimtarë, artistë dhe shkencëtarë të njohur ndërkombëtarisht, duke përfshirë gjashtë fitues të çmimit Nobel, u kanë bërë thirrje autoriteteve ruse të lirojnë menjëherë liderin e opozitës Alexei Navalny, duke theksuar se ai ka nevojë për kujdes të menjëhershëm dhe të pavarur mjekësor.
Në mesin e nënshkruesve të letrës së hapur, të publikuar më 28 prill, janë: balerini i shquar ruso-amerikan Mikhail Baryshnikov, shkrimtari J.K. Roëling, fituesit e Nobelit në letërsi Orhan Pamuk, Herta Muller, Olga Tokarczuk, Svetlana Alexievich, Mario Vargas Llosa dhe J.M. Coetzee, karikaturisti Art Spiegelman, dramaturgu Tom Stoppard, aktori Jean Reno, ish-futbollisti Eric Cantona, regjisori dhe kompozitori i filmit Jeffrey Jacob Abrams dhe shumë të tjerë, transmeton REL.
“Ne i shtojmë zërin tonë zërit të 600 mjekëve rusë, të cilët po kërkojnë ndihmë urgjente dhe të menjëhershme mjekësore të pavarur. Edhe 100 avokatë të tjerë rusë dhe 100 deputetë rajonalë kërkojnë që të ndërpritet tortura ndaj Navalny-t dhe t’i jepet sërish ndihmë mjekësore”, thuhet në letrën e hapur.
“Navalny po vuan dënimet me burg për akuza që nuk do të ishin mbështetur kurrë në asnjë sistem të pavarur ligjor. Ne mbështesim thirrjen e Qeverisë gjermane, autoriteteve amerikane dhe Bashkimit Evropian, që kërkojnë lirimin e menjëhershëm të tij. Është në fuqinë tuaj”, kanë shkruar ata.
Vendimmarrja e presidentit rus Vladimir Putin, rrallëherë është ndikuar nga një presion i tillë nga publiku i huaj, gjatë më shumë se dy dekadave të tij në pushtet.
Letra u publikua dy ditë pasi Navalny tha se ai po hetohej përsëri, këtë herë me akuza për terrorizëm dhe se me akuzë “absurde” do të gjykohej nga një gjykatë ushtarake.
Navalny tha se kundër tij u hap një çështje tjetër në tetor, me akuzën për propagandim të terrorizmit dhe nazizmit, për shkak të deklaratave të bëra nga bashkëpunëtorët e tij në mërgim, në kanalin Popular Politics në YouTube. Ata kritikuan Putinin dhe qeverinë e tij dhe dënuan pushtimin aktual të paprovokuar të Ukrainës nga Moska.
Më herët gjatë këtij muaji, Shërbimi Federal rus i Sigurisë (FSB) pretendoi se bashkëpunëtorët e Navalny-t, së bashku me shërbimet sekrete ukrainase, ishin të përfshirë në vrasjen e gazetarit dhe propaganduesit pro-Kremlinit, Vladlen Tatarsky, në qytetin e dytë më të madh të Rusisë, Shën Petersburg, në fillim të prillit. FSB nuk ka ofruar asnjë provë që lidh bashkëpunëtorët e Navalny. Ekipi i tij hodhi poshtë pretendimet e FSB-së.