Muaremi për mbeturinat në Malin Sharr: Me ndotjen e këtillë do e humb kuptimin e zonës së mbrojtur

Mali Sharr është i mbushur me mbeturina dhe deponi të vogla të cilët i krijojnë qytetarët e pandërgjegjshëm. Veprimet e institucioneve janë sipërfaqësore dhe të njëjtit nuk po e zgjidhin këtë problem me vite të tëra. Për problemin me ndotjen e Sharrit realizuam intervistë me Metin Muaremin nga nisma “Miqtë e Sharrit”.

Intervistoi: Fisnik Xhelili

Portalb: Si nismë “Miqtë e Sharrit”, si e shihni ndotjen që i bëhet Malit Sharr dhe sa kemi qytetarë miqësor ndaj Sharrit?

Metin Muaremi: Mendoj se është një ndër problematikat më të mëdha që i bëhet Malit Sharr në pjesën e ndotjes nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Mendoj se numri i qytetarëve që kujdesen për Malin për çdo ditë rritet. Mendoj se Mali Sharr me ndotjen e këtillë do e humb edhe kuptimin e saj dhe do e humb qëllimin kryesor që e ka një zonë e mbrojtur, nëse vazhdohet në këtë mënyrë nuk do e ketë rolin për të cilën të gjithë edhe më herët nga 2015 edhe këndej kemi luftuar për një zonë të mbrojtur. Njerëzit që jetojnë në këtë rajon nuk meritojnë një zonë zë mbrojtur në të cilën ka kudo mbeturina.

Portalb: Ku qëndron problemi sipas jush për këtë ndotje të madhe që i bëhet Malit Sharr?

Metin Muaremi: Si platformë mendojmë se problem kryesor është ndërgjegjësimi i popullatës, pra nga kjo fillon gjithçka pasi nëse dikush hedh, ndonjë kompani hedh apo institucion po ashtu nuk e bën punën e vetë, ai i cili duhet të reagojë është qytetari i thjesht. Sa i përket pjesës së zgjidhjes, ne si platformë “Miqtë e Sharrit” mendojmë se ky rajon ashtu si i tërë Pollogu kërkojnë zgjidhje rajonale, nuk mund kjo problematikë e cila është edhe problematikë nacionale të zgjidhet në mënyrë terciale, ne mendojmë se ky problem zgjidhet në mënyrë rajonale në faza. Po ashtu jemi të vetëdijshëm se ka edhe një plan për menaxhim me mbeturina të forta i cili është i përgatitur nga Njësia për Zhvillimin e Rajonit të Pollogut dhe i cili përfshin diku 10-15 vite në disa faza rregullimin e kësaj problematike dhe mendojmë se vetëm përmes implementimit të këtij plani edhe po ashtu me angazhim më të madh të komunave të cilat gjenden në këtë rajon, pasi e dimë se përgjegjës për pjesën e menaxhimit me mbeturina janë komunat, vetëm këtu e shohim zgjidhjen e kësaj problematike që është me vite në shtet.

Portalb: Sa institucionet bëjnë mjaftueshëm për të zgjidhur këtë problem?

Metin Muaremi: Mendoj se bëjnë pak dhe se duhet të bëjnë më shumë duke ditur edhe kapacitetet e institucioneve, pasi në çdo komunë numri i inspektorëve që janë përgjegjës për menaxhimin për monitorimin e këtyre rasteve është shumë i vogël, duke e ditur kapacitetin e tyre dhe duke ditur strukturën e popullsisë e cila gjendet, mendoj se bëjnë shumë pak. Kjo vjen si rezultat i mosbashkëpunimit të komunave të cilat gjenden në rajonin e Pollogut. Apelojmë që në ardhmëri të gjitha komunat që gjenden në këtë rajon të bashkëpunojnë më shumë, të gjejnë zgjidhje të përbashkët se kjo problematikë i tangon të gjitha banorët dhe nuk shihen kufij se ku ata veprojnë dhe ku ata nuk hedhin e kështu me radhë.

Portalb: Cilat janë efektet negative që shkakton kjo ndotje në mjedis. Si mund të ua sqarojmë qytetarëve se kjo sjellje nuk është në rregull dhe se ndikon në shëndetin e tyre?

Metin Muaremi: Mendojmë se efektet janë shumë anshme apo të niveleve të ndryshme duke filluar nga pjesa e shëndetit të njeriut, nëse ndotim një tokë, gjithçka që do prodhohet në atë hapësirë në të ardhmen frutat që do dalin nga ajo pjesë me siguri do të kenë efekte negative, po ashtu në pjesën e ujit. E dimë se natyra – biodiversiteti është një kompleks i shumë gjërave dhe nëse një pjesë e atyre nuk funksionon gjithçka natyra na e kthen. Ajo që është më kryesorja, ne si platformë dhe si Park Kombëtar synojmë që këtë rajon ta vendosim në top atraksionet e destinacioneve për të rinjtë e huaj apo turistëve. Një i huaj nuk do vijë t’i shoh mbeturinat që janë në çdo kënd. Mendoj se për këtë kërkohet zgjidhje sistematike.

Portalb: Cila do të ishte zgjidhja sistematike?

Metin Muaremi: Mendoj bashkëpunim më të madh të institucioneve, pra të gjitha komunave, thamë se përgjegjës për këtë janë komunat. Mendoj zgjidhja është afatgjate për disa vite, por duhet të fillohet me masa afatshkurtre duke filluar në pjesën e edukimit të të rinjve, në pjesën e riciklimit dhe ripërdorimit të të gjitha mjeteve që i kemi në rajon.