Shefi i klimës i OKB-së: Rritja e fatkeqësive ekstreme të motit “shenjë e gjërave që do të vijnë”

Sekretari ekzekutiv i Konventës së Kornizës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), Simon Stiell, ka paralajmëruar se fatkeqësitë ekstreme të motit që shihen në mbarë botën janë “vetëm një shenjë e gjërave që do të vijnë”.

Në një intervistë për Anadolu në kryeqetin Nairobi të Kenias, zyrtari më i lartë i OKB-së për klimën tha se të gjitha këto fatkeqësi klimatike, nga thatësira deri te zjarret dhe përmbytjet, shërbejnë si kujtues të rreptë të nevojës urgjente për veprim të përshpejtuar.

“Ajo që po shohim janë ndikimet dhe efektet e ndryshimeve klimatike që po përshpejtohen tani dhe është thjesht e mahnitshme në vitet e fundit, kohët e fundit ne kemi parë rekorde të thyera vazhdimisht dhe kjo është vetëm një shenjë e gjërave që do të vijnë”, tha Stiell.

Stiell, i cili ishte në Nairobi për Samitin e Klimës në Afrikë, po i referohej ngjarjeve ekstreme të motit duke përfshirë thatësirën aktuale në Afrikën Lindore, veçanërisht që prek Kenian ku u mbajt samiti.

Thatësira, më e keqja e rajonit në të paktën 40 vite, ka zhvendosur miliona njerëz dhe ka çuar milionë të tjerë në prag të urisë.

Vitin e kaluar, pati një pushtim të karkalecave në Afrikën Lindore, gjë e cila sipas ekspertëve ishte më i keqi për Kenian në 70 vjet dhe të paktën 25 vjet për Etiopinë dhe Somalinë.

Lidhur me samitin, Stiell tha se premtimet e rëndësishme të bëra në këtë ngjarje kanë rritur shpresat për përpjekje konkrete, por sfida mbetet në zbatimin e tyre aktual.

Ngjarja mblodhi së bashku liderë dhe vendimmarrës nga e gjithë Afrika për t’u përballur me krizën klimatike, theksoi ai, duke ofruar “një mundësi për të përcaktuar jo vetëm prioritetet e Afrikës, por edhe për të dalë me zgjidhje”.

“Bashkëpunimi ndërkufitar është absolutisht thelbësor në negociatat më të gjera për klimën, ku keni zëra të unifikuar rajonal që do të kulmojnë në konferencën COP28 në fund të vitit”, tha Stiell, duke iu referuar Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike që do të mbahet në Dubai nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor.

– Nevojitet “veprim i vërtetë në terren”

Më tej, Stiell tha se Samiti i Klimës në Afrikë pa “udhëheqje të fortë nga liderët në mbarë rajonin”. Ai pranoi se premtimet thelbësore u bënë nga entitete të tilla si SHBA-ja, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bashkimi Evropian (BE), por paralajmëroi se sfida e vërtetë mbetet në zbatimin e tyre.

Ai shtoi se premtimet janë sinjale pozitive, por ato vetëm “gërvishtin sipërfaqen e asaj që nevojitet globalisht”, veçanërisht në mbështetjen e vendeve të cenueshme dhe në zhvillim.

Ajo që ka rëndësi, sipas tij, është se si “kjo përkthehet në veprim real në terren”.

Duke iu referuar nismave energjetike, Stiell tha se përpjekjet si Strategjia dhe Udhërrëfyesi i Hidrogjenit të Gjelbër të BE-së dhe premtimi i mbështetjes financiare prej 4,5 miliardë dollarësh të Emirateve të Bashkuara Arabe për tranzicionin e energjisë janë hapa në drejtimin e duhur.

“Ne gjithashtu e dimë se ajo që nevojitet shkon shumë, shumë përtej atyre nismave që dalin nga ngjarje si kjo, por sigurisht që dërgon një sinjal shumë të fuqishëm”, theksoi zyrtari i OKB-së.

Në fund të samitit që u mbajt dje, liderët miratuan Deklaratën e Nairobit, e cila kërkon mbështetjen globale për Afrikën.

Ajo propozoi “një arkitekturë të re financimi që i përgjigjet nevojave të Afrikës, duke përfshirë ristrukturimin dhe lehtësimin e borxhit dhe zhvillimin e një Karte të re Financiare të Klimës Globale përmes proceseve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe COP-së (Konferenca e Palëve) deri në vitin 2025”.

Deklarata u fokusua në nevojën për mbështetje financiare nga vendet e zhvilluara, veçanërisht për ato për të përmbushur angazhimet e tyre për të ofruar 100 miliardë dollarë në financimin vjetor të klimës.

Lidhur me rolin e UNFCCC-së në luftën kundër ndryshimeve klimatike, Stiell përsëriti angazhimin e agjencisë për të mbështetur përpjekjet globale për të reduktuar emetimet dhe për të frenuar ngrohjen globale.

Ai tha se mandati i UNFCCC-së përfshin ofrimin e mbështetjes për vendet në zhvillim me fokus në komunitetet lokale.

Ai shtoi se agjencia punon për të ofruar “mbështetje dhe hapësirë për përfaqësim në nivele ndërkombëtare, qoftë nga popujt indigjenë, qoftë nga komunitete apo qytete”.

“Ne e dimë se për sa i përket veprimit dhe progresit real, kjo ndodh në terren brenda komuniteteve lokale” u shpreh Stiell.