Çmimi “Ilija Zhupanoski” për kontribute të shquara në gazetarinë profesionale, etikën e medias dhe raportimin me interes publik në Maqedoni do të ndahet gjatë Konferencës së 21-të Ndërkombëtare të Shoqërisë Elektronike, të organizuar nga Fondacioni Metamorfozis, që do të mbahet më 10 dhjetor në Holiday Inn, transmeton Portalb.mk.
Kjo ceremoni nderon individët dhe mediat që promovojnë integritetin, transparencën dhe llogaridhënien në sferën e medias.
Një ceremoni zyrtare çmimesh do të organizohet në sesionin përmbyllës të konferencës, ndërsa eventi do të prezantohet nga Elida Zylbeari, kryeredaktore e Portalb, dhe Biljana Georgievska, drejtore ekzekutive e Këshillit të Etikës së Medias të Maqedonisë.
Më 10 dhjetor 2025 në hotelin “Holiday Inn” (Shkup) do të mbahet edicioni i 21-të i Konferencës Ndërkombëtare e-Shoqëri.Mk. Këtë vit, Konferenca do t’i kushtohet temës “Integriteti në Thelb të Transformimit Digjital”, duke hulumtuar se si përparimi i shpejtë teknologjik po i riformëson qëndrueshmërinë demokratike, të drejtat e njeriut dhe besimin shoqëror në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur.
“Transformimi digjital sjell një potencial të madh për inovacion, efikasitet dhe gjithëpërfshirje, por gjithashtu i ekspozon cenueshmëritë ndaj manipulimeve, kërcënimeve kibernetike dhe përdorimit joetik të teknologjisë. Sigurimi i integritetit si bazë e këtij transformimi është çelësi për ndërtimin e sistemeve të sigurta, transparente dhe të përgjegjshme që i mbrojnë qytetarët, duke mundësuar njëkohësisht përparimin. Sfida qëndron në gjetjen e ekuilibrit të duhur midis shfrytëzimit të përfitimeve të transformimit digjital dhe mbrojtjes nga rreziqet që dëmtojnë stabilitetin, barazinë dhe dinjitetin njerëzor”, thuhet në njoftim.
Pjesëmarrës në konferencë do të jenë Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ambasadori francez, Christophe Le Rigoleur dhe personalitete të tjera.
Agjenda e plotë është këtu, ndërsa konferencën mund ta ndiqni drejtpërdrejt linkun vijues: https://e-society.mk/.
Gjithçka që ndodhi në Konferencën E-shoqëri në vitin e kaluar i gjeni në lajmet e mëposhtme.