SHBA, kundër përpjekjes së palestinezëve për njohjen e shtetësisë përmes OKB-së

Shtetet e Bashkuara u shprehën të mërkurën kundër një përpjekjeje nga ana e palestinezëve për anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara, duke thënë se Uashingtoni e mbështet krijimin e një shteti palestinez, por pas negociatave me Izraelin, raporton VOA.

Ne mbështesim krijimin e një shteti të pavarur palestinez”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller.

“Kjo është diçka që duhet bërë përmes negociatave të drejtpërdrejta përmes palëve, gjë për të cilën ne jemi të angazhuar aktualisht, dhe jo përmes Kombeve të Bashkuara”, tha ai, pa e qartësuar nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosnin veton ndaj kësaj kërkese, nëse ajo paraqitet tek Këshilli i Sigurimit.

Zoti Miller tha se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka qenë aktivisht i angazhuar në përcaktimin e “garancive të sigurisë” për Izraelin, si pjesë e përpjekjeve për një shtet palestinez.

Administrata e Presidentit Joe Biden ka theksuar gjithnjë e më shumë mbështetjen për një shtet palestinez, me një Autoritet Palestinez të reformuar në krye të Bregut Perëndimor dhe Gazës, ndërsa përpiqet të gjejë rrugët për t’i dhënë fund luftës në Gazë, përmes së cilës Izraeli synon të eliminojë Hamasin nga Rripi i Gazës.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu për dekada me radhë i ka rezistuar idesë së një shteti palestinez dhe drejton një qeveri të ekstremit të djathtë me anëtarë që janë kundër Autoritetit Palestinez, i cili ka autonomi të kufizuar në pjesë të Bregut Perëndimor.

Legjislacioni amerikan parashikon ndërprerjen e fondeve për agjencitë e OKB-së që i japin anëtarësimin e plotë një shteti palestinez. Ligji është zbatuar në mënyrë selektive.

Shtetet e Bashkuara ndërprenë fondet për UNESCO-n në vitin 2011 dhe më pas u tërhoqën nga kjo agjenci e OKB-së, pasi ajo pranoi palestinezët në organizatë. Por administrata e zotit Biden u rikthye në UNESCO, duke thënë se ishte më mirë që SHBA të ishte pjesë e saj.

Robert Wood, zëvendës ambasadori i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, tha se njohja e një shteti palestinez nga organizmi botëror do të nënkuptonte ndërprerjen e fondeve amerikane për OKB-në, në bazë të një ligji të viteve 1990 të Kongresit amerikan.

“Ne shpresojmë që ata (palestinezët) të mos e vazhdojnë këtë përpjekje, por kjo varet prej tyre”, tha zoti Wood.

Autoriteti Palestinez i ka dorëzuar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, duke kërkuar që Këshilli i Sigurimit të rishqyrtojë në prill një kërkesë të dorëzuar prej kohësh.

Çdo kërkesë për t’u bërë vend anëtar i OKB-së duhet së pari të rekomandohet nga Këshilli i Sigurimit, ku mbështetësi kryesor i Izraelit, Shtetet e Bashkuara, si dhe katër vende të tjera kanë të drejtën e vetos, dhe më pas të miratohet nga një shumicë prej dy të tretash në Asamblenë e Përgjithshme.

Presidenti palestinez Mahmud Abbas e filloi aplikimin për shtetësi në vitin 2011. Kërkesa nuk u shqyrtua nga Këshilli i Sigurimit, por Asambleja e Përgjithshme një vit më pas i dha statusin e vëzhguesit “Shtetit të Palestinës”.