SHBA-ja këmbëngul se ka përparim në bisedimet për armëpushim në Rripin e Gazës

Shtëpia e Bardhë tha të premten se bisedimet e armëpushimit në Kajro kanë qenë konstruktive dhe do të vazhdojnë gjatë fundjavës, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në Lindjen e Mesme vazhdojnë të ushtrojnë trysni mbi Izraelin dhe Hamasin për arritjen e një marrëveshjeje, transmeton Zëri i Amerikës.

Drejtori i CIA-s, William Burns dhe Brett McGurk, këshilltar i lartë për Lindjen e Mesme i Presidentit Joe Biden, po udhëheqin delegacionin amerikane në negociatat që filluan të enjten mes mosmarrëveshjeve të mëdha midis Izraelit dhe Hamasit mbi këmbënguljen e Izraelit që të mbajë forcat e tij në dy korridore strategjike në Gaza.

“Ka pasur përparim”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë kombëtare, John Kirby. “Ne kemi nevojë tani që të dyja palët të mblidhen dhe të punojnë drejt zbatimit”, shtoi ai.

John Kirby nuk dha detaje se ku ishte bërë përparim, por ai këmbënguli se ka pasur një prirje pozitive në bisedat midis ndërmjetësve amerikanë, Izraelit dhe përfaqësuesve të Hamasit, Egjiptit dhe Katarit.

Presidenti Biden pezulloi përkohësisht pushimet e tij me familjen në Kaliforni, të premten për të telefonuar emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani dhe presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi për të diskutuar mbi negociatat.

Përpjekjet diplomatike janë dyfishuar ndërsa po rritjet frika për një luftë më të gjerë rajonale pas vrasjeve të kohëve të fundit të udhëheqësve të grupeve militante të Hamasit dhe Hezbollahut. Drejtuesit e këtyre grupeve kanë fajësuara Izraelin për vrasjet dhe kanë kërcënuar se do të hakmerren.

Izraeli dhe Hamasi kanë qenë në mosmarrëveshje për korridorin e Filadelfit, që ndodhet përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin dhe korridorin Netzarim lindje-perëndim në Rripin e Gazës. Hamasi kërkon tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës.

Kryeministri Netanyahu këmbëngul në parimin se Izraeli do të duhet të kontrollojë korridorin e Filadelfit, me synimin për të parandaluar riarmatosjen e Hamasit dhe një sulm të ngjashëm me atë të 7 tetorit të vitit të kaluar në Izrael. Ai gjithashtu mohoi raportet se Izraeli do të ishte i gatshëm të pranonte një forcë ndërkombëtare në këto korridore.

Hamasi të premten reagoi ndaj komenteve të zotit Netanyahu, duke thënë se ai “po bllokonte çdo shans për të arritur një marrëveshje armëpushimi”.

I pyetur nëse Netanyahu po negocionte me mirëbesim, zoti Kirby vuri në dukje se Presidenti Biden pati një bisedë “konstruktive” të mërkurën me kryeministrin izraelit.

“Jemi në Kajro. Ata janë në Kajro”, tha zoti Kirby. “Ne kemi nevojë që Hamasi të marrë pjesë në bisedime. Ne duhet të merremi me detajet e marrëveshjes. Ne jemi të përqëndruar në këtë çështje”, tha ai.

Lufta në Rripin e Gazës filloi pas sulmit të militantëve të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar në Izrael, në të cilin u vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Në ofensivën izraelite në Rripin e Gazës që pasoi sulmin e Hamasit, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, janë vrarë më shumë se 40,000 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësor të Gazës.