Rugova, si intelektual dhe politikan, ka mbetur vizualisht i njohur për shkak të syzeve me korniza të mëdha, me xham të trashë dhe shallit të mëndafshit që e mbante rreth qafës, pa marrë parasysh sezonin e vitit, situatat shoqërore dhe politike, si dhe mjedisin ku ndodhej. Ai nuk e hoqi atë as gjatë drekave apo darkave me diplomatë dhe politikanë të huaj. Sipas një transmetimi, ai pati një aksident të rëndë, nga i cili i mbetën gjurmë të përhershme në qafë që donte të mos i dukeshin, sipas versionit të dytë, të cilin gazetarit Zlatar ia ka treguar në Zagreb, e mbante për kujtim të babait të vet, Ukës, dhe gjyshit Rustem, të cilët u ekzekutuan pa gjyq në vitin 1945 nga komunistët. Legjenda urbane mëson se ishte betuar se do ta mbante atë derisa të fitohej pavarësia dhe liria e plotë e Kosovës.
Ky shall i përngjan keffiye-s ose ghutra-s së Arafatit, një shall tradicional që është bërë një simbol ikonik i identitetit palestinez, rezistencës dhe solidaritetit dhe luftës për shtetësi të Palestinës. Ka smbolikë të ngjashme edhe me veshjen ikonike e Gandhit dhoti, një rrobë tradicionale burrërore indiane prej pambuku. Gandhi e adoptoi këtë veshje minimale dhe modeste si një simbol të pavarësisë, thjeshtësisë dhe rezistencës ndaj sundimit kolonal britanik. Gandhi gjithashtu inkurajonte edhe përdorimin e khadi, një pëlhurë e endur me dorë, si një mënyrë për të promovuar industrinë lokale dhe për të ulur varësinë nga produktet britanike. Zgjedhja e tij e veshjes ishte një deklaratë kundër kolonializmit britanik dhe një afirmim i identitetit kulturor indian. Paralele mund të tërhiqet edhe me “Madiba”-n të Nelson Mandelës, një këmishë me ngjyra të ndritshme, me mëngë të shkurtra dhe e lëshuar lirshëm, e bërë nga stofi lara-lara, që u bë sinonim i stilit mandelian, një simbol i ngrohtësisë, modestisë dhe lidhjes së tij me trashëgiminë e tij afrikane.
Njerëzit përdorin simbole jo vetëm për të shprehur ide, emocione, kuptuar botën përreth tyre, por gjithashtu për t’u identifikuar dhe për të bashkëpunuar në shoqëri. Shalli do të mbetet ikonë që identifikohet me identependizmin kosovar.
Ambiguiteti fetar: Ibrahim Rugova njihet me qasjen e tij sekulare në politikë dhe përpjekjet për të promovuar paqen, demokracinë dhe pajtimin etnik, duke u fokusuar më shumë në identitetin kulturor dhe kombëtar sesa në përkatësinë fetare, madje duke e përjashtuar këtë të fundit. Por kjo qasje e tij nuk ka vlerë absolute, simpatitë e tij kanë anuar kah krishterimi, gjegjësisht katolicizmi. Gazeta “Lajm” ka publikuar se informacionin e paverifikuar se presidenti Ibrahim Rugova ka kaluar nga islami në katolicizëm. Sipas të njëjtit organ medial, konvertimi apo ndryshimi i fesë ka ndodhur më 24 prill 1974 në Vatikan. Pagëzimi, sipas kësaj njoftimi, e ka bërë vetë Papa Gjon Pali II; Rugova ka marrë emrin Pjetër që shenjon apostullin Pjetër si gurë (gr. petros) mbi të cilin Krishti ndërtoi Kishën, “kështu edhe Pjetër kosovari do të duhej të bëhej guri mbi të cilin do të krijohej një shtet tjetër i ri i pavarur në Evropë”.
Rugova nuk ishte i vetmi në Kosovë që është konvertuar. Disa intelektualë shqiptarë që ndoqën shembullin e tij bënë të njëjtën gjë, e fshehin fendërrimin nga bashkëkombësit e tyre, duke pasqyruar një frikë nga presioni social. Koncepti rugovoian për fenë e paraardhësve është në akord me frymën kadareiane që promovonte idenë e “tetivës akiliane” të shqiptarëve, islamit, që pengonte europeanizimin shqiptar dhe që duhej të zëvendësohej nga një fe më civiluzese, oksidentale (?), krishterimi katolik. Rugova këtë kthim në identitetin e dikurshëm e shihte nga dioptria e qëllimeve politike: pavarësia e Kosovës. Ai priste mbështetje nga Selia e Shenjtë në arritjen dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Nëpërmjet miqësisë me Papën, Rugova u takua më burrështetasit më të mëdhenj të kohës. (New55, 2020)
Çështjen e përkatësisë fetare ai e mori me vete, si sekret që jep mundësi për spekulime të shumta. Si dobësi e tij mund të merret mosguximi për të dalë hapur të deklarojë edhe konvertimin e tij të mundshëm. Guximi është tipar i intelektualit të mirëfilltë. Fetarinë e parë e ka pasur kompleks që në psikanalizë nënkupton grup të ideve emocionale të shtypura ose pjesërisht të shtypura që shkaktojnë lëkundje personale. Qarku fetar mysliman s’ka të drejtë t’i hidhërohet me ‘konvertimin’ e tij ngase Zoti njeriut ia ka dhënë të drejtën të besojë ose jo, të zgjedhë islamin a ndonjë fe tjetër. Kjo është një e drejtë e pakontestueshme; sikur të kishte dashur Ai të gjithë do t’i bënte pjesëtarë të një feje dhe nuk do kishte lëvizje prej njërës në tjetrën fe. Sidoqoftë kompleksi religjioz rugovian ka reflektime të shumta në kokat e shumë shqiptarëve dhe njerëzve sot e këtë ditë gjithandej.
Epilog: Figura emblematike e Rugovës, e butë si mëndafshi, por edhe e fortë sa shkëmbi, pa marrë parasysh divergjencat dhe perceptimet, diskutimet në qarqet nacionaliste, por edhe në ato konservatore fetare, zë vend me peshë në historinë e Kosovës, të pavarësisë, të shtetndërtimit kosovar dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Veprat e tij për kuptimin, “refuzimin estetik”, pavarësinë, në veçanti ato nga teoria letrare dhe e kritikës janë të shumëçmuara në qarqet akademike. Ka hapësirë të gjerë për analiza shkencore thellësinore shumëdimensionale, për trajtime të stratumeve të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë së tij, në mënyrë objektive, pa paragjykime dhe skema të gatshme. Identiteti i tij është polivalent, vizionarizmi i tij është i përmasave të sfidimit të një shteti si Jugosllavia e dikurshme edhe më pas. Ai tregoi se është me rëndësi të kesh ëndrra, të cilat mund të realizohen po u ngulmua në idealet me të cilat frymon qenia.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.