Serbi, opsione të hapura për NIS-in: nga shitja e aksioneve deri te administrimi shtetëror

Meqë nuk dha një shpjegim të qartë pse Qeveria e Serbisë i la pikërisht 50 ditë pronarit të NIS-it për të shitur paketën e tij të aksioneve, presidenti i Serbisë la të hapura disa opsione, raporton “N1”. Opsioni i parë nënkupton se NIS dhe shteti kanë rezerva nafte dhe derivatesh të mjaftueshme për aq ditë, në mënyrë që tregu të vazhdojë të funksionojë pa pengesa, transmeton Portalb.mk.

“Kjo do të vlente edhe nëse përgjigjja e OFAC-ut amerikan për zgjatjen e licencës do të ishte negative. Dhe Rafineria e Pançevës, e cila tashmë funksionon në regjim të qetë për shkak të kësaj situate, mund të ndalonte plotësisht këtë javë. Opsioni i dytë lidhet me afatin që OFAC i ka dhënë pronarit shumicë të NIS-it për të shitur pjesën e tij, që, të kujtojmë, skadon më 13 shkurt 2026. Ndërsa opsioni i tretë, i cili ndoshta është më pak i mundshëm, nënkupton që Serbia planifikon të marrë kontrollin e NIS-it duke e çuar kompaninë në falimentim. Sipas vlerësimeve të tyre, shtetit do t’i duheshin rreth 50 ditë për të marrë pronësinë në këtë formë dhe për t’u çliruar nga sanksionet amerikane”, shkruan “N1”.

Siç raportojnë mediat, epilogu i këtij ultimatumi 50-ditor, nëse NIS nuk gjen pronar të ri, do të jetë, sipas fjalëve të presidentit serb, vendosja e administrimit të përkohshëm shtetëror. Ai nuk sqaroi se si konkretisht do të dukej ky proces, por theksoi se disa ministra të qeverisë serbe kanë qenë për nacionalizimin e menjëhershëm të kompanisë. Presidenti, megjithatë, vazhdon ta refuzojë një mundësi të tillë.