Seancë maratonike në Kuvend për shkarkimin e ministrave Azir Aliu dhe Fatmir Mexhiti

Vazhdon seanca për shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu dhe ministrit të Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, dy kuadro të Aleancës për Shqiptarët që pas përplasjeve brenda partisë u rreshtuan në krah të kryetarit Arben Taravari dhe kundër kryetarit të kuvendit të partisë, Ziadin Sela, shkruan Portalb.mk.

Deputetët vazhdojnë me fjalimet e tyre në lidhje me shkarkimin e dy ministrave të cilët para 10 ditësh u votuan si pjesë e qeverisë teknike.

Për VMRO-DPMNE-në opozitare është e qartë se shkarkimi i ministrave bëhet me udhëzim të BDI-së, ndërkaq nga LSDM thonë se partia opozitare nuk ka votuar për ministrat e saja, për atë nuk kanë kredibilitet të komentojnë për shkarkimin.

Për shkak të numrit të madh të deputetëve të cilët janë paraqitur për fjalim, seanca pritet që të vazhdojë edhe nesër.

Ndryshe, kryeministri Talat Xhaferi, dje i dorëzoi letër kryetarit të Kuvendit, Jovan Mitreski, propozimin për shkarkimin e dy ministrave. Seanca ka filluar në orët e sotme të paradites, ndërsa në orën 20:00 ka vazhduar ku janë paraqitur dhjetëra deputet për të folur para se të votohet shkarkimi i ministrave.

Kryeministri Xhaferi tha se arsyetimi për shkarkimin e tyre bazohet në detyrim ligjor për Qeverinë.

“Ministrat që janë propozuar për shkarkim ka ardhur pas momentit të kryetarit të Alenacës se do të veprojnë si opozitë. Ata ministra u shprehën se qëndrojnë pas kryetarit të tyre dhe në Qeveri nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërjen e saj”, tha Xhaferi.

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti nga foltorja ka dhënë shpjegim para deputetëve për shkarkimin e tij.

Ai akuzoi BDI-në për sjellje destruktive dhe se avokon partishmërinë, në kurriz të interesave të qytetarëve.

“Ka 11 muaj që si ministër kam treguar se si po bëhen punët, nuk kam ikur nga problemet por kam hyrë në zjarr për të zgjidhur çështjet që të gjithë para meje kanë ikur dhe i kanë futur në tapet. Më vjen keq që doli që jo të gjithë kanë të njëjtin synim si unë në këtë qeveri. Doli se BDI-ja përmes ministrave të saj vendosi të politizojë dhe pengojë dhe të shkojë kundër interesave të qytetarëve. Mendoj se politika është mjet për të ndihmuar qytetarët, ata mendojnë se politika është mjet për realizimin e interesave personale”, tha Mexhiti.

Deputeti i ASh-së nga krahu i Taravarit, Halil Snopçe tha se arsyetimi i kryeministrit Xhaferi tregon se ai ka mungesë intelegjence ose se merr urdhra nga dikush tjetër, por mendoj se është e dyta, sepse në inteligjencën e tij nuk dyshoj.

“Ah vendosi të jetë në garë me opozitën, prandaj nuk kemi propozim për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë. Pse u vendos për shkarkimin e vetëm dy ministrave, dhe pse jo të zëvendësve të tyre. Ata vazhdojnë si ministra të BDI-së”, tha Snopçe.

Nga Qeveria informuan dje se Xhaferi i ka dorëzuar edhe kryetarit të Kuvendit, Mitreskit, që Kuvendi të zgjedhë: Ilir Demirin, ministër që do ta drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Naim Bajramin, si ministër i cili do të drejtojë Ministrinë e Shoqërisë Informative dhe Administratës.

Ministri i Shëndetësisë Mexhiti ka mbajtur dje një brifing me gazetarë, e cila i ngjante një fjalimi lamtumirës nga pozita e ministrit.

Ndryshimi i ministrave nga Aleanca për Shqiptarët ndodh pasi kreu i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare. Sela mbetet në Qeveri, ndërsa Taravari i është bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim.