Seanca plenare për interpelancën e Gashit është caktuar për më 3 shtator

Interpelanca për kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi, e dorëzuar nga deputetët e së Majtës, është futur në rendin e ditës të seancës së 13-të plenare të caktuar për 3 shtator. Interpelanca bazohet në shtatë pika, të shpjeguara në dhjetë faqe. Në kërkesën për interpelancë thuhet se kryeparlamentari Gashi që nga fillimi i emërimit “punon në mënyrë arbitrare, joprofesionale, të pandërgjegjshme dhe joprofesionale dhe mbi të gjitha në mënyrë të kundërligjshme, jokushtetuese dhe joprofesionale”, transmeton Portalb.mk.

Sipas Levicës, Gashi e shkeli laicitetin e shtetit kur kreu lutje fetare në grup në një seancë parlamentare për të përkujtuar gjenocidin në Srebrenicë së bashku me të pranishmit e tjerë.

Si arsye të dytë për të kërkuar përgjegjësi nga kryeparlamentari, deputetët e së Majtës përmendin incidentin me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit. Sipas Levicës, Gashi si kryetar i Kuvendit e ka shkelur edhe përdorimin e gjuhës maqedonase për shkak se betimi që ka bërë si kryetar tashmë i zgjedhur fillimisht është dhënë në gjuhën shqipe, jo në maqedonisht. Ata gjithashtu besojnë se kryeparlamentari ka keqpërdorur Ligjin për simbolet shtetërore pasi në sallën ku mbahen seancat plenare të Kuvendit janë vendosur simbole të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Deputetët e së majtës kërkojnë largimin e Gashit edhe për shkak se ai nuk e ka vënë në rend dite një pikë për të konfirmuar ndërprerjen e funksionit parlamentar të Talat Xhaferit, i cili në të njëjtën kohë ishte ende duke kryer funksionin e kryeministrit teknik.

Ata po ashtu theksojnë se gjatë vizitës së Gashit në Uashington gjatë Samitit të NATO-s, me të ka udhëtuar edhe gruaja e tij.

Nga e Majta besojnë se kryetari i Kuvendit nuk e respekton Rregulloren sepse seancat zgjasin deri në orët e vona të natës, koordinimi i rregullt mes partive bëhet “pro forma”, ndërsa nuk i respekton edhe afatet e caktimit të seancave.

Zëvendësimin e menjëhershëm të Gashit pas incidentit në aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës ku mori pjesë shefi i sigurimit të tij, i cili mori kallëzim penal dhe largim nga puna, ka kërkuar edhe LSDM.

Nga ana tjetër, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nuk konsideron se është i nevojshëm zëvendësimi i kryetarit të Kuvendit, nga ku thonë se përgjegjësia është lokalizuar dhe se institucionet asnjëherë më parë nuk kanë marrë masa kaq urgjente.

Incidenti që ndodhi më 1 gusht në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku ishte e përfshirë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte temë edhe e takimit që ndodhi më 5 gusht në Shkup ndërmjet dy kryeministrave, Albin Kurtit dhe Hristijan Mickoskit.

Në mungesë të pamjeve, raportohet që presidentja Osmani është sulmuar edhe fizikisht nga Policia e Maqedonisë së Veriut, për shkak se ajo ka refuzuar që telefoni i saj zyrtar të futet në skaner për kontroll, duke u thirrur në protokollet e përcaktuara në Konventën e Vjenës.