Seanca gjyqësore ndaj Erion Veliajt u shty për 19 janar
Gjykata e Posaçme shtyu për më 19 janar, seancës e radhës të shqyrtimit paraprak ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë në lidhje me këtë dosje, raporton Klan.
Shkak është bërë mungesa e dy prej avokatëve mbrojtës, një prej të cilit edhe avokatja kryesisht e caktuar për Veliajn. Ajo ka argumentuar përmes një emaili se ndodhej jashtë vendit.
Gjatë seancës nuk ka qenë prezent as vetë Veliaj.
Drejtoria e Burgjeve: E njoftuam në kohë, refuzoi të dilte
Kjo është bërë shkak për replika në distancë me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, pas pretendimeve për vonesa të qëllimshme në shoqërimin e kreut të Bashkisë së Tiranës.
Në një reagim për mediat Drejtoria e Përgjithshme Burgjeve ka sqaruar se këto pretendime nuk qëndrojnë.
“Janë të pavërteta pretendimet lidhur me orarin e transferimit të shtetasit Erion Veliaj nga IEVP Durrës drejt Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Forcat e Policisë së Burgjeve, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore. Mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V. ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se për çdo vonesë apo ndryshim orari, kancelaria e gjykatës njoftohet zyrtarisht dhe se nga ana jonë nuk ka pasur asnjë pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Çfarë ka ndodhur me dosjen “Veliaj”
Kujtojmë se në seancën e fundit, Veliajt iu refuzua kërkesa që të revoktonte një vendim të mëparshëm të gjykatës për ta lejuar që të dilte nga kafazi i qelqtë për t’i vënë në dispozicion aktet e dosjes dhe një formë që të njihej me to.
Pasi edhe kjo kërkesë iu rrëzua, Veliaj largoi avokatin e tij Artan Gjermëni, duke i caktuar avokaten e shtetit, Valentina Teodoresku.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo e fundit kërkoi pushim të çështjes.
Kryebashkiaku e ka ankimuar disa herë masën e sigurisë “arrest me burg”. Së fundmi, edhe në Gjykatën Kushtetuese, së cilës i kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak të shkeljes së rëndë të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.
Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë masën ndaj tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit. Ndërsa, më 3 nëntor, Kushtetuesja vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.