Scholz: Do të mbrojmë çdo centimetër katror të territorit të NATO-s

Lufta në Ukrainë ka detyruar NATO-n të forcoj kufirin e vetë lindor. Scholz zotohet se janë të gatshëm të mbrojnë çdo centimetër katrorë të teritorit të kësaj aleance. Ai njashtu bën të ditur se diplomacia do të jetë e suksesshme vetëm nga pozicioni i forcës, transmeton Evropa e Lirë.

Vendimi i NATO-s së voni për ta përforcuar kufirin e vet lindor ka për qëllim ta frenojë Rusinë, tha të dielën kancelari gjerman, Olaf Scholz. Ai tha se Moska duhet ta ketë të qartë se aleanca ushtarake do të jetë e gatshme për ta mbrojtur veten, nëse është e nevojshme.

Duke folur në Forumin Ekonomik Gjerman, ku mori pjesë edhe kryeministrja e Lituanisë Ingrida Simonyte, Scholz tha se Gjermania ka luajtur rol udhëheqës në praninë e NATO-s në vendet e baltikut në kufi me Rusinë tash e një dekadë.
“Për shkak se kërcënimi nga Rusia do të vazhdojë, ne dhe aleatët e tjerë vendosëm vitin e kaluar të zhvendosnim njësite shtesë në vendet baltike, si dhe për ta vendosur atje përherë një brigadë të tërë në të ardhmen”, tha Scholz.

“Por ky ndryshim në politikën e sigurisë është i nevojshëm për t’i treguar Rusisë: Ne jemi të gatshëm për ta mbrojtur çdo centimetër katror të territorit të NATO-s kundër sulmeve”, shtoi ai.

Ai theksoi se diplomacia do të jetë e suksesshme vetëm nga pozicioni i forcës. Në fillim të kësaj jave, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i paralajmëroi vendet anëtare të NATO-s të mos e lejonin Ukrainën të kryejë sulme me armët e tyre brenda Rusisë, pasi disa vende aleate të Perëndimit vendosin t’i heqin kufizimet ndaj Kievit për përdorimin e armëve me të cilat e furnizojnë. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i hodhi poshtë paralajmërimet e Putinit të premten, duke thënë se aleanca ka dëgjuar shumë herë paralajmërime të tilla në të kaluarën dhe se vetëmbrojtja nuk nënkupton përshkallëzim.